Liridon Latifi superior, ndëshkon Partizanin

Futboll

Liridon Latifi superior, ndëshkon Partizanin

Më: 8 dhjetor 2021 Në ora: 18:57
Liridon Latifi superior, ndëshkon Partizanin

Vllaznia mposht 1-0 Partizanin, duke arritur fitoren e tretë radhazi në “Loro Boriçi” në Abissnet Superiore. Goli i Liridon Latifit pas gjysmë orë lojë, i dhuroi 3 pikë fantastike ekipit shkodran, që renditet në vend të tretë.

Goli i dytë radhazi për sulmuesin dardan, i cili është ngjitur në shifrën e katër rrjetave sezonale në kampionat. Thyhet Partizani pas pesë javësh pa humbje.

Vendasit luajtën me dhjetë lojtarë prej minutës së 66-të, moment kur Ardit Krymi u ndëshkua me të kuq.

Vllaznia e filloi ndeshjen në sulm dhe Djordevic e Da Silva vendosën në provë Teqjen, i cili do të mposhtej në minutën e 28-të. Jonuzi tentoi më pas me një goditje nga larg, teksa Erdenis Gurishta u ndal nga shtylla në limitet e pjesës së parë.

Kuqeblutë më mirë edhe në pjesën e dytë, por në minutën e 66-të mbeten me një lojtar më pak, me Ardit Krymin që kreu një faull si lojtar i fundit. Partizani mori zemër, por Stenio Junior dhe Esat Mala u frenuan nga Zogovic.

Vendasit u kthyen në mbrojtje dhe ia dolën të ruajnë avantazhin e çmuar. Në fund 1-0 për skuadrën e Thomas Brdaric dhe festë në stadium, ndërsa “Demat” rikthehen pa pikë në kryeqytet.

Vllaznia-Partizani 1-0  Latifi 28′.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat