Investimet e FSHF në infrastrukturë, eksperti grek inspekton fushën e re në Shtëpinë e Futbollit  

Futboll

Investimet e FSHF në infrastrukturë, eksperti grek inspekton fushën e re në Shtëpinë e Futbollit  

Më: 9 dhjetor 2021 Në ora: 15:14
Investimet e FSHF në infrastrukturë, eksperti grek inspekton fushën e re në Shtëpinë e Futbollit  

Federata Shqiptare e Futbollit ka nisur prej kohësh investimet në infrastrukturën sportive, teksa në disa stadiume e fusha të ndryshme është ndërhyrë për të rikonstruktuar apo edhe ndërtimin e fushave të reja. Një nga investimet më të spikatura është ai që po bëhet në Shtëpinë e Futbollit, ku njëra nga fushat e dy mini-stadiumeve ka marrë formë dhe pritet që brenda muajit mars të jetë gati për të pritur ndeshje apo stërvitje të ekipeve kombëtare, pasi të jetë pajisur me të gjithë infrastrukturën përkatëse.

Kostas Poulios, eksperti i firmës së specializuar për fushat “Hellasod”, ka inspektuar se si po ecin punimet, duke përcaktuar proceset dhe e afatet e mbjelljes, korrjes dhe prerjes së barit. Eksperti është shprehur i kënaqur për mënyrën se si kanë ecur punimet për këtë fushë dhe është i bindur se në mars kjo fushë do të jetë në gjendje të shkëlqyer.

“Ne jemi duke këshilluar për çdo problem me të cilin po përballemi. Pas meje është fusha e re, totalisht e re mund të them, që do të përdoret për stërvitjet e ekipeve kombëtare të Shqipërisë. Është ndërtuar me teknikat më të mira, të një niveli shumë të lartë dhe ne si ekspertë këshillojmë si të bëhet mbjellja e fushës, sepse do të përdoret duke filluar nga data 15 marsi, siç është edhe programi, kështu që ne e mbollëm. Nuk ishte e nevojshme që të vendosej tapet i gatshëm. Ne kemi bërë të gjithë procedurën e nevojshme le të themi, dhe tani, pas një muaji nga mbjellja, të gjitha gjërat po shkojnë mirë, bari është rritur 100 %”, tha Kostas Poulios duke folur për Fshf.org.

Më tej, ai ka komentuar edhe ecurinë e punimeve në fushën e stadiumit të ri të Kukësit dhe fushën e re të stadiumit “Niko Dovana” të Durrësit, ku po ndryshohet tapeti. Poulios thekson se deri në janar të dyja fushat do të jenë në gjendje optimale dhe do të ofrojnë një cilësi edhe më të mirë për futbollin shqiptar.

“Gjithashtu, dy muajt e fundit ne po bashkëpunojmë me Federatën, fillimisht për vendosjen e fushës në Kukës, që është një stadium krejtësisht i ri i ndërtuar atje dhe ne në kompaninë Hellasod, sollëm tapet të gatshëm dhe e vendosëm atje.

Sipërfaqja ishte shumë e mirë, por rrënjëzimi, për shkak të klimës së ndryshme, fatkeqësisht do të kërkojë pak më shumë kohë, por çdo gjë tjetër shkon mirë, për të qenë gati për përdorim në fund të muajit janar.

Aktualisht jemi duke vendosur tapet të gatshëm në Durrës. Kemi arritur deri tani të vendosim thuajse 70% të fushës dhe në 5 ditët e ardhshme, do të ketë mbaruar me siguri”, – tha eksperti i fushave nga “Hellasod”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat