Sarri duket se ka bindur drejtuesit e Lazios

Futboll

Sarri duket se ka bindur drejtuesit e Lazios

Më: 16 dhjetor 2021 Në ora: 17:56
Sarri duket se ka bindur drejtuesit e Lazios

Maurizio Sarri duket se ka bindur drejtuesit e Lazios me punën e tij, pasi vetë presidenti Claudio Lotito ka deklaruar se do t’i ofrojë teknikut zgjatjen e kontratës edhe me dy vite të tjera, me rinovimin që mund të firmoset në harkun e pak ditëve.

Ndërkohë mediat italiane shkojnë edhe më tej dhe zbulojnë se ish trajnerit të Napolit e Juventusit, i janë premtuar edhe 7 blerje mes merkatos së dimrit dhe asaj të verës, në mënyrë që të ketë mundësi të aplikojë idetë e tij në ekip.

Igli Tare ka marër përsipër të sjellë që në janar në kryeqytetin italian një sulmues, që të jetë zëvendësuesi i parë i Ciro Immobiles, pasi Vedat Muriqi nuk po bind dhe mund të huazohet te Fenerbahce.

Gjithashtu, po në janar Sarri ka marrë premtimin edhe për afrimin e një mbrojtësi të majtë, rol në të cilin deri tani është improvizuar Elseid Hysaj, që gjithsesi rrallë shkon në fundore, pasi ka vështirësi krosimi me atë këmbë.

Sa u përket reparteve të tjera, në verë pritet të afrohen dy portierë cilësorë, pasi do të largohen si Pepe Reina, ashtu edhe Thomas Strakosha, të cilëve u skadon kontrata dhe nuk u është ofruar rinovimi.

Gjithashtu Sarri ka marrë premtimin edhe për afrimin e një qendërmbrojtësi cilësor, që të formojë dyshen me Acerbin, një mesfushori organizator, pasi Lucas Leiva ka shumë vite mbi supe dhe nuk ofron garanci në këtë rol, si dhe një sulmues krahu.

Në këtë mënyrë, në sezonin e ardhshëm Sarri pritet të ketë jo vetëm një organikë më të kompletuar në emra e numra, por edhe futbollistë që i përshtaten më së miri idesë së tij të lojës dhe do të provojë të garojë në nivele të larta.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat