UEFA modifikon kalendarin para Botërorit

Futboll

UEFA modifikon kalendarin para Botërorit

Më: 4 janar 2022 Në ora: 12:41
UEFA modifikon kalendarin para Botërorit

Kupa e Botës Katar 2022 paraqet një risi, pasi do të luhet në dimër, konkretisht në periudhën nëntor-dhjetor të këtij viti, ndërsa shumë liga europiane po modifikojnë kalendarin e tyre, për të qenë pushim gjatë muajit të eventit më të rëndësishëm futbollistik të globit.

Kështu së fundi UEFA ka modifikuar edhe kalendarin e Ligës së Kampionëve, me fazën e grupeve që do të startojë më 6 shtator dhe më pas do të ketë ndeshje çdo mesjavë, deri më 2 nëntor, ndërsa më 7 nëntor është parashikuar shorti për fazën e 1/8-ave.

Nga ana tjetër, shorti për fazën e grupeve do të hidhet më 25 gusht, ndërsa vlen të theksohet se vjeshta pritet të jetë vërtetë e ngarkuar për skuadrat e mëdha europiane, që do të luajnë një pjesë mjaft të rëndësishme të sezonit në shtator-tetor.

Edhe në Itali po studiojnë një nisje shumë më të shpejtë të kampionatit, ndoshta që në javën e dytë të gushtit, dhe më pas zhvillimin e 15 javëve deri në muajin nëntor, kur edhe do të vijë ndalesa për t’i hapur udhë botërorit.

Seria A synon që të nisë kampionatin më 13 gusht dhe të vijojë pa pushim deri më 13 nëntor, ndërsa më pas futbollistët do t’u bashkohen përfaqësueseve përkatëse, për Botërorin që do të startojë më 21 nëntor dhe do të zgjasë deri më 18 dhjetor.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat