Ndaj Skënderbeut të gatshëm edhe 3 lojtarët e janarit

Futboll

Ndaj Skënderbeut të gatshëm edhe 3 lojtarët e janarit

Më: 20 janar 2022 Në ora: 15:09
Ndaj Skënderbeut të gatshëm edhe 3 lojtarët e janarit

Kukësi nuk e nisi 2022-shin ashtu siç do ta kishte dëshiruar duke qenë se në sfidën e parë të vitit pësuan një disfatë ndaj Dinamos. Mbrëmjen e së mërkurës, në Elbasan Arena, verilindorët nuk ishin në formën më të mirë dhe u mposhtën 0-1 përballë kryeqytetasve pas golit të Eni Imamit në minutën e 90.

Një humbje që u reflektua edhe në tabelën e klasifikimit duke qenë se tashmë rivalin e tyre kryesor për titull, Tiranën, e shohin gjashtë pikë larg, ndërsa mbeten edhe në të njëjtën kuotë pikësh me Laçin, 28.

Megjithatë, në kampin e Kukësit nuk ka kohë për të humbur dhe tashmë ndeshja me Dinamon është një histori e kaluar ndërsa vëmendja shkon te sfida e radhës, të dielën në orën 17:45 në stadiumin Loro Boriçi të Shkodrës ndaj Skënderbeut. Një vlerë e shtuar për trajnerin Diego Longo në sfidën ndaj korçarëve do të jenë edhe tre lojtarët e afruar në merkaton e janarit.

Kështu, Emiljano Musta, Filip Gligorov dhe Vasil Shkurtaj kanë qenë ditën e sotme nën urdhrat e teknikut italian dhe janë gati për të marrë minutat e para me fanellën e verilindorëve të cilët duhet të rikthehen te tre pikët për të mos humbur më shumë terren në garën e titullit. Kujtojmë se ndeshja e fazës së parë mes Kukësit dhe Skënderbeut e luajtur në Korçë ka përfunduar me shifrat 2-1 në favor të skuadrës bardhekuqe.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat