Përcaktohen skuadrat gjysmëfinaliste

Futboll

Përcaktohen skuadrat gjysmëfinaliste

Më: 23 janar 2022 Në ora: 11:30
Përcaktohen skuadrat gjysmëfinaliste

Tirana, Vllaznia, Partizani e Kinostudio do të jenë katër skuadrat gjysmëfinaliste të Kupës së Shqipërisë për femra të këtij edicioni.

Vllaznia që në këtë ndeshje çerekfinale kishte përballë skuadrën e Murlanit, fitoi me rezultatin e thellë 7-0, duke kaluar kështu në fazën tjetër. Kampionet në fuqi në futbollin e femrave kaluan shpejt në avantazh, me Megi Doçin, e cila shndërroi në gol një penallti të fituar në minutën e 9-të, teksa realizoi edhe një tjetër gol në minutën e 79-të. Golat e tjerë u shënuan nga Lufo, e cila realizoi një tripletë dhe Gjini, e cila shënoi dy gola, duke i dhënë fitoren e kualifikimin për në gjysmëfinale.

Sakaq, Partizani mundi ekipin e Teutës me shifrat 3-0. Të kuqet kaluan në avantazh në minutën e 38-të me Locin, e cila shënoi edhe golin e dytë në minutën e 55-të, teksa golin e tretë dhe të fundit për skuadrën kryeqytetase e realizoi Begallo. Kësisoj, skuadra durrsake eliminohet nga ky edicion i Kupës, me Partizanin që vijon rrugëtimin në këtë kompeticion.

Në kompleksin “Skënder Halili”, skuadra e Tiranës siguroi biletën për në gjysmëfinale pasi mundi Atletik Club me shifrat 3-0. Një ndeshje jo e lehtë për bardheblutë, të cilat arritën të zhbllokonin rezultatin vetëm në minutën e 42-të me Goron, ndërsa në fraksionin e dytë shënuan edhe Metalla e më tej Goro realizon edhe golin e dytë personal e të tretin për skuadrën tiranase.

Ndërkaq, skuadra e katërt që ka siguruar gjysmëfinalen është Kinostudio, që ka kaluar në këtë fazë pasi sipas vendimit të marrë në qershorin e vitit 2021 nga Komisioni i Disiplinës dhe Etikës, skuadra e Apolonisë së femrave është përjashtuar nga gara në këtë edicion, për shkak të braktisjes së ndeshjes finale kundër Vllaznisë, e vlefshme për Kupën e Shqipërisë për femra në edicionin e kaluar.

Ndërkaq, sipas skemës së përcaktuar, janë zbuluar edhe dy ndeshjet e fazës gjysmëfinale ku Tirana do të përballet me Kinostudion ndërsa në ndeshjen tjetër Vllaznia do të luajë ndaj Partizanit.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat