Rexhepi: Skënderbeu di si ta mundë Kukësin

Futboll

Rexhepi: Skënderbeu di si ta mundë Kukësin

Më: 23 janar 2022 Në ora: 12:23
Rexhepi: Skënderbeu di si ta mundë Kukësin

Skënderbeu është gati për të luajtur ndeshjen e radhës në transfertën përballë Kukësit në “Loro Boriçi”. Në kushte të tilla, pas fitores së kundërshtarëve direkt, Skënderbeut i lind si detyrë të bëjë më të mirën në këtë ndeshje delikate.

Portieri i Skënderbeut Bekim Rexhepi është i bindur se ai dhe shokët e tij kanë aftësinë për ta ndalur ekipin e Longos.

Gardiani bardhekuq shpreh konsideratën për kundërshtarin, që është mjaft i fortë dhe për më tepër pas përforcimeve në merkato, por nga ana tjetër tregon se nuk i druhen aspak dhe se do të shkojnë në këtë takim për të marrë maksimumin e mundshëm.

“Vijmë pas një pike me mjaft vlera, të marrë përballë një kundërshtari mjaft të vështirë, siç ishte Laçi. Kjo na shërben për të motivuar veten dhe për të treguar se kemi mundësi të marrim rezultate pozitive ndaj gjithkujt. Tani radhën e ka Kukësi dhe jemi të përqendruar në maksimum dhe kemi punuar gjatë gjithë javës për këtë takim.

Jemi të bindur se do të jetë një ndeshje e vështirë, pasi kundërshtari është i një niveli të lartë dhe për më tepër është fuqizuar mjaft në merkato.

Por kjo nuk na tremb, përkundrazi na karikon më shumë. Kukësi është forcuar mjaft në merkato, por jam i mendimit që nuk e kanë pasur kohën e duhur të përshtaten. Kjo mund të jetë në favorin tonë për të tentuar të marrim pikë. Kukësin dimë si ta mundim dhe e kemi treguar në ndeshjen që kemi luajtur në Korçë. Do të mundohemi ta përsërisim”, u shpreh Rexhepi.

LUHET NË SHKODËR – “Ne do të shkojmë atje me kokën lart sido që të jetë puna. Nuk ka shumë rëndësi se ku do të luajmë. Është një ndeshje në transfertë dhe e kemi vlerësuar si të tillë. Mund të them vetëm se ne shkojmë atje për të marrë maksimumin. Skënderbeu është mësuar që të kërkojë tri pikët kudo që shkon”, përfundoi portieri i Skënderbeut Bekim Rexhepi.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat