Milan-Juventus, sfidë me emocione

Futboll

Milan-Juventus, sfidë me emocione

Më: 23 janar 2022 Në ora: 15:58
Milan-Juventus, sfidë me emocione

Milan-Juventus do të jetë një duel i cili do të kthjellojë më saktë ujërat për sa i përket çështjes së titullit dhe mbi të gjitha zonës Champions.

Kuqezinjtë duhet të fitojnë për të mos iu larguar më tepër Interit, ndërsa bardhezinjtë duan të shtojnë presionin kundrejt Atalantës dhe Napolit, për të qëndruar sa më pranë vendit të katërt.

Dhe pa dyshim që një peshë të madhe mbi rezultatin e takimit do të bëjnë edhe zgjedhjet e dy strategëve, Stefano Pioli për “Djallin” dhe Masimiliano Alegri për “Zonjën e Vjetër”.

Lidhur me përballjet mes dy teknikëve në fjalë, Pioli ka një mallkim për të thyer, duke qenë se ndaj Masimiliano Alegrit, në kampionat numëron 11 humbje dhe 4 barazime, duke mos fituar asnjëherë.

Prandaj, sikur të mos mjaftonte vetëm forma e mirë e Juventusit (6 fitore dhe 2 barazime në 8 takimet e fundit në kampionat), Pioli duhet të bëjë të pamundurën që të thyejë tabunë “Alegri”.

Ndërkohë, lidhur me statistikat e tjera të sfidës, ato janë si më poshtë:

– Milani është skuadra e cila i ka shkaktuar më shumë dhimbje Juventusit në histori, duke nisur nga numri më i madh i humbjeve të shkaktuara (51), por gjithashtu edhe për barazimet (55), ndërsa bilanci plotësohet edhe nga 67 suksese të “Zonjës së Vjetër”, në 173 takime në Serinë A.

– Milani ka përmirësuar trendin e viteve të fundit ndaj Juves, duke mos humbur në tri nga katër sfidat e fundit (2 fitore, 1 barazime dhe 1 humbje), i njëjti rezultat që kishin shënuar në 17 ndeshjet paraardhëse (2 fitore kuqezi, 1 barazim dhe 14 suksese për Juven).

– Pas 1-1 në fazën e parë, në Torino, Milani dhe Juventusi, në rast barazimi edhe në “San Siro”, do të ndanin nga një pikë në të dyja sfidat e sezonit për herë të parë që nga sezoni 1991-1992.

– Barazimi në “San Siro” mes Milanit e Juventusit është një rezultat i mallkuar prej 9 takimesh radhazi (6 fitore të Juves dhe 3 të Milanit). “X”-i i fundit daton në shkurt 2012, 1-1 pas golave të Noçerinos dhe Matrit, me Alegrin që stërviste Milanin në atë epokë, ndërsa Konte Juven.

– Pas disfatës me Specian dhe në rast se merr një tjetër shuplakë ndaj Juves, Milani do të humbte dy ndeshje radhazi në shtëpi (në Serinë A) për të parën herë që nga shtatori 2019, kur në stol ulej Xhampaolo.

– Zlatan Ibrahimoviç numëron 70 ndeshje dhe 23 gola me bluzën e Juves në Serinë A, mes sezoneve 2004- 2006. Suedezi si kundërshtar i ka realizuar dy gola “Zonjës së Vjetër” (që të dy në “San Siro”, në korrik 2020 dhe tetor 2010), por në rast se feston edhe sot, Ibra do të shndërrohet në golashënuesin më të moshuar të historisë së Serisë A (40 vite e 112 ditë), duke kaluar Silvio Piolën (39 vjeç e 174 ditë).

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat