Dama: Po monitorojmë çdo futbollist të kësaj datëlindjeje

Futboll

Dama: Po monitorojmë çdo futbollist të kësaj datëlindjeje

Më: 18 shkurt 2022 Në ora: 19:01
Dama: Po monitorojmë çdo futbollist të kësaj datëlindjeje

Pas seleksionimeve të ekipeve Kombëtare U-17 dhe U-18, ditën e enjte ka qenë radha e Kombëtares U-15 të zbresë në fushë, për të zhvilluar një tjetër seleksionim me lojtarët e vitlindjes 2008.

Nën urdhrat e trajnerit Armand Dama, u vunë 25 futbollistë, prej të cilëve tre portierë, të cilët aktivizohen në kampionatin shqiptar të moshave dhe që fillimisht janë seleksionuar në ekipet e përfaqësueseve rajonale e në pas nga ekipi Kombëtar.

Talentet e reja zhvilluan një seancë stërvitore në ambientet e Qendrës Stërvitore Sportive në Kamëz, ku stafi kuqezi, me në krye Damën pati mundësinë të vëzhgonte me kujdes këta elementë, me qëllim konsolidimin e grupit për këtë grupmoshë dhe furnizimin e ekipeve zinxhir me talente të reja.

Në fund të seleksionimit, trajneri Dama, në një prononcim për fshf.org u shpreh se stafi do të vijojë punën me seleksionimet e futbollistëve të rinj, teksa për momentin po punohet me lojtarët më të talentuar të kësaj datëlindjeje që militojnë në kampionatin shqiptar. “Jemi duke monitoruar me vëmendje të gjithë futbollistët të cilët do të veshin fanellën e Kombëtares.

Këta janë disa nga lojtarët më të talentuar të datëlindjes 2008, të cilët si fillim janë seleksionuar në ekipet e përfaqesueseve rajonale dhe më pas nga ne në ekipin Kombëtar U-15.

Për momentin jemi duke punuar me futbollistët e kampionatit shqiptar, por me kalimin e kohës, presim të na bashkohen edhe futbollistë nga jashtë për të konsoliduar grupin. Seleksionime të tilla do të jenë të shpeshta gjatë gjithë vitit – tha në fjalën e tij trajneri i Kombëtares U-15, Armand Dama.

Ky ishte seleksionimi i tretë për Kombëtaren U-15, që do të vazhdojë me të tjera seleksionime e grumbullime përgjatë këtij viti, edhe me futbollistë që luajnë jashtë Shqipërisë, ku skautët e FSHF-së vazhdojnë të monitorojnë me kujdes elementet që spikasin, duke informuar stafet teknike të ekipeve Kombëtare të moshave.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat