Bajrami e Kastrati presin debutimin

Futboll

Bajrami e Kastrati presin debutimin

Më: 22 mars 2022 Në ora: 14:35
Bajrami e Kastrati presin debutimin

Adrian Bajrami dhe Elhan Kastrati janë dy nga risitë në kombëtaren e Shqipërisë në prag të ndeshjeve miqësore me Spanjën dhe Gjeorgjinë. Mbrojtësi i Benfica ka ndarë me të gjithë lumturinë që ka ndjerë për ftesën e marrë dhe më pas ka folur edhe për tema të tjera.

“Normalisht që jam shumë, shumë i lumtur të jem pjesë e kombëtares. Shpresoj të ndihem edhe më mirë, të ambientohem sa më shpejt dhe të arrijmë sa më shpejt te ndeshja”, u shpreh Bajrami, i cili më pas u pyet edhe në lidhje me interesimin e Zvicrës dhe zgjedhjen për të përfaqësuar fanellën kuqezi. “Jam shqiptar. Kam lindur e jam rritur në Zvicër, kam kaluar shumë vite në Zvicër me futbollin. Pastaj kam shkuar te Benfica dhe po bëj katër vite aty tani. Në fund e kam zgjedhur Shqipërinë se jam shqiptar”, shtoi mbrojtësi.

I pyetur se kush janë shembujt e tij në kombëtare, Adriani tha: “Berat Gjimshiti normal, edhe Kumbulla. Të gjithë janë shumë të mirë, janë si idhuj për mua. Mund të mësoj shumë prej tyre dhe shpresoj të mësoj”.

Bajrami foli edhe për ditën e parë me kombëtaren: “Ishte shumë mirë dita e parë për mua. Mendova se do të ishte më e vështirë, por në fakt nuk ishte. Janë disa lojtarë që luajnë në Zvicër, apo Berat Gjimshiti që flet gjermanisht edhe ai. Ata më afruan më shumë me skuadrën. Kishim stërvitje dhe kaloi shumë mirë. Shpresoj të ambientohem edhe më mirë”.

Bajrami është në pritje të pasaportës kuqezi, ndërsa sportitivisht ai ndihet gati të luajë: “Shpresoj të marr pasaportën, unë jam gati dhe në formë. Kam luajtur gjithmonë me Benfikën, jam kapiten i ekipit aty. Unë jam gati”.

Në lidhje me eksperiencën te Benfika, apo për një kalim të mundshëm në Serie A, Bajrami deklaroi: “Është kënaqësi e madhe të luash për një klub si Benfika. Kam mësuar shumë atje, jam rritur si person dhe futbollist atje. Me kalimin e kohës do të shikojmë se çfarë do të ndodhë. Unë në Serie A? Mund të ndodhë, por për momentin jam i fokusuar te Benfika dhe te karriera që kam aty. Çfarë do të ndodhë mbetet për t’u parë”.

Në fund Bajrami kishte edhe një mesazh për tifozët e kombëtares shqiptare: “Shpresojmë që të vijnë të gjithë, të na mbështesin. Ne do të japim maksimumin për fanellën kuqezi. Jemi shqiptarë dhe do të luftojmë brenda fushës”.

Fjalën pas Bajramit e mori portieri Elhan Kastrati, i cili rikthehet në kombëtare pas ndeshjeve në Nations League ku ai ishte në stol. “Jam shumë i lumtur që rikthehem këtu. Kam qenë edhe një herë kur ishte Panucci. Me trajnerin Reja është hera e parë dhe gjithmonë është krenari të përfaqësosh kombëtaren. Kështu që jam mëse i lumtur”.

Në Itali luajnë disa portieri shqiptarë dhe Kastrati tregon edhe pse atje ka “gardianë” të mirë: “Italia është një shkollë e mirë për portierët. Jam rritur atje që i vogël. Punojnë pak më ndryshe se gjithë vendet e tjera, ndaj ka edhe portierë me më shumë kualitet”.

Duke e ndjekur nga jashtë, Kastrati ka krijuar edhe një mendim për kombëtaren shqiptare: “Shqipëria në këto momente ka një grup me kualitet. Nuk ka nevojë ta them unë, e thonë edhe rezultatet. Grupi është me të vërtetë shumë i mirë dhe mund të arrijmë diçka shumë të madhe, sa i përket kualifikueseve. Grupi është shumë i mirë”.

I pyetur në lidhje me objektivat në dy miqësore e këtij muaji, portieri shtoi: “Objektivi varet edhe nga kundërshtari. Me Spanjën rezultati është pak më i vështirë për t’u arritur, por megjithatë do të japim maksimumin për të marrë një rezultat pozitiv. Pastaj sa i përket një kundërshtari si Gjeorgjia, edhe rezultati është shumë i rëndësishëm. Për Shqipërinë kur ndeshet me skuadra mesatare le të themi, nuk janë miqësore, por ndeshje ku duhet të marrim maksimumin”.

Kastrati foli edhe për ecurinë e tij në Serie B: “U bë viti i dytë që jam te Cittadella. Vjet nga janari zura edhe formacionin, po luaj rregullisht. Vjet fatkeqësisht humbëm finalen për të hyrë Serie A. Këtë vit objektivat ishin po të njëjta, që të luftojmë të jemi në zonën play-off dhe më pas të luftojmë për Serie A. Jam më se i lumtur atje”.

Ashtu si Bajrami, edhe portieri Elhan Kastrati pati një mesazh për tifozët: “Tifozët janë gjëja më kryesore për ne futbollistët. Kështu që është e rëndësishme që ata të na mbështesin si në ndeshjen me Spanjën që luajmë jashtë, ashtu edhe në ndeshjen me Gjeorgjinë në shtëpi. Do ishte diçka shumë e bukur ta shohim stadiumin plot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat