Çfarë synojnë Xhaka e Shaqiri ndaj Kosovës?

Futboll

Çfarë synojnë Xhaka e Shaqiri ndaj Kosovës?

Më: 29 mars 2022 Në ora: 11:24
Çfarë synojnë Xhaka e Shaqiri ndaj Kosovës?

Kur Xherdan Shaqiri udhëton për në Kosovë, telefoni i tij cingëron çdo 10 minuta. E sot, ai do t’i presë miqtë e tij në Letzigrund. Për herë të parë si kundërshtarë. Dueli vëllazëror Zvicër – Kosovë do të nisë në orën 18:00

Sot do të jetë një ndeshje mjaft speciale për Xherdan Shaqirin, Granit Xhakën e Andi Zeqirin.

Për herë të parë në karrierën e tyre, yjet e Kombëtares së Zvicrës do të luajnë kundër Kosovës, vendit të prindërve të tyre, të rrënjëve të tyre.

Ata do të mund ta mbushnin stadiumin e Leitzigrund vetëm me të njohurit, të afërmit dhe miqtë e tyre.

Xhaka madje iu dhuroi bileta të afërmve të tyre.

E Shaqiri ia la këtë punë vëllait të tij.

“Nuk doja ta bëja këtë vetë”, thotë duke qeshur Shaqiri për magazinën zvicerane, “Blick.

Xhaka do ta zhvillojë sonte ndeshjen jubilare të 100-të dhe atë pikërisht kundër Kosovës.

Atij i duket e pabesueshme të përballet me “Dardanët”, por në të njëjtën kohë synon ta shijojë në maksimum këtë lojë.

“Një lojë miqësore kërkon miqësi. Dhe, Zvicra e Kosova e kanë një miqësi të ngushtë. Disa prej nesh kemi rrënjë kosovare dhe Kosova ka lojtarë që janë lindur dhe rritur në Zvicër. Ne lojtarët e njohim njëri-tjetrin mjaft mirë”, shton Shaqiri.

Nga Kombëtarja e Kosovës, Florent Hadërgjonaj është miku më i mirë i tij.

“Ai është një shok i mirë imi qe një kohë të gjatë”, shprehet futbollisti i Chicagos.

“Unë do t’i përshëndes disa njerëz të Kosovës që do t’i takoj në Letzigrund”, nënvizoi Shaqiri.

Dhe, si është ndjenja kur e viziton Kosovën? “Unë nuk shkoj atje shpesh dhe kjo bëhet më speciale për njerëzit. Telefoni cingëron çdo 10 minuta kur jam atje”, tregon tutje Shaqiri, i cili shpesh i lë prindërit e tij ta kapin telefonin.

“Ata ju thonë njerëzve se kam dalë”, shpjegon Shaqiri.

“Nëna dhe babai im i kanë tetë vëllezër e mora. Unë kam shumë kushërinj në Kosovë, shumicën prej tyre nuk i njoh”, shton ai duke qeshur.

Xhaka e Shaqiri presin që kjo të jetë një “ndeshje mysafir” pasi në stadium pritet të ketë shumë tifozë shqiptarë.

Sidoqoftë, të dy duan të largohen nga stadiumi si fitues.

“Kur jemi në fushë, duam të fitojmë, pa marrë parasysh se kush është kundërshtari”, thotë Xhaka.

“Edhe Kosova me siguri dëshiron të nxjerrë rezultat pozitiv”, theksoi Shaqiri.

Trajneri Murat Yakin e di rëndësinë e lojës, posaçërisht për Xhakën, Shaqirin e Zeqirin.

“Para lojës do të jetë emocionuese për djelmoshat, kjo është e qartë dhe normale. Por, më pas do të jetë komplet një ndeshje normale. Ata e dinë se për cilën Kombëtare po luajnë. Djelmoshat do të bëjnë gjithçka për të fituar. Është po ashtu një prestigj absolut”, deklaroi selektori i Zvicrës.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat