Largimin e konfirmon edhe trajneri i Belgjikës

Futboll

Largimin e konfirmon edhe trajneri i Belgjikës

Më: 3 prill 2022 Në ora: 16:23
Largimin e konfirmon edhe trajneri i Belgjikës

Romelu Lukaku u rikthye me bujë te Chelsea verën e kaluar, me londinezë që paguan rreth 115 milionë euro në arkat e Interit, megjithatë duket se gjërat nuk po i ecin ashtu si i kishte menduar dhe ka humbur vendin e titullarit në skuadrën e drejtuar nga Thomas Tuchel.

Kjo ka ndikuar edhe që trajneri Roberto Martinez ta lërë jashtë grumbullimit të Belgjikës për miqësoret e muajit mars, megjithatë spanjolli zbulon se pret që Lukaku të ndërrojë ambient gjatë verës, në mënyrë që të luajë rregullisht.

“Lukaku nuk po kalon një moment të mirë te Chelsea dhe ndaj e lashë pushim këtë herë, por për skuadrën që do të marr në Katar, do të nis vlerësimet vetëm në muajin shtator. Romelu ka nevojë të ndihet i vlerësuar dhe pres që gjatë verës të ndërrojë skuadër, për të gjetur dëshirën e të luajturit futboll. Edhe Hazard ka nevojë të ndërrojë ambient dhe të tregojë aftësitë e tij, pasi kështu do të na ndihmonin më shumë në Botëror”, u shpreh Martinez.

Sulmuesi belg po shtyn drejtuesit e Chelsea-t ta lejojnë të rikthehet te Interi, qoftë edhe në formë huazimi, teksa për të kanë shfaqur interes edhe klube si Paris Saint Germain, Bayern Munich e Borussia Dortmund.

Gjithsesi kur jemi edhe dy muaj larg hapjes së merkatos së verës, është e sigurt që “telenovelat” më të ndjekura do të jenë ato të Lukakut dhe Hazard, dy yje të futbollit, që presin të ndërrojnë ambient.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat