Teuta - Vllaznia, sfidë e nxehtë

Futboll

Teuta - Vllaznia, sfidë e nxehtë

Më: 17 prill 2022 Në ora: 11:11
Teuta - Vllaznia, sfidë e nxehtë

Teuta dhe Vllaznia përballen këtë të diel me humore të kundërta pas verdikteve respektive në Kupën e Shqipërisë. Në kampin bregdetar zhgënjim masiv pas eliminimit nga Laçi, Vllaznia në eufori pas atij kualifikimi për infarkt ndaj Partizanit.

Kampionati gjithsesi i gjen të dyja skuadrat me obligimin për të fituar, sidomos për Teutën, që te Kupa shikonte të vetmen mënyrë për të arritur Europën, objektiv ku drejtuesit nuk duan të dorëzohen, duke nxitur skuadrën për ta kërkuar në kampionat, por klasifikimi thotë se Teuta bën më mirë të shohë nga pas, pasi rrezikon të përfshihet në vorbullën e frikshme të mbijetesës.

Pas zhgënjimit në Kupë, formacioni i Arapit ka detyrimin për të reaguar menjëherë para tifozërisë durrsake, përballë një Vllaznie që kërkon të shfrytëzojë momentin për të gjetur rrugën e rezultateve pozitive në kampionat. Kualifikimi ka ardhur në momentin e duhur për Elvis Plorin, pozitat e të cilit në sytë e tifozërisë ishin lëkundur ndjeshëm, me teknikun shkodran që mbetet ende në kërkim të fitores së tij të parë në harkun e 90 minutave në krye të stolit kuqeblu.

Me vetëm 1 gol të shënuar në 5 ndeshjet e fundit, duke përfshirë edhe Kupën, Vllaznia vuan mungesën e finalizimit, diçka që i duhet ta gjejë përballë një Teute që nuk ka më mbrojtjen solide të sezonit të kaluar. Sfida e fazës së tretë mes dy skuadrave në fakt rezultoi në goleadën 4-2 në favor të Vllaznisë me një dygolësh të Liridon Latifit, ndërsa dy takimet paraardhëse kanë përfunduar në barazim 1-1.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat