Rreth 35 mijë tifozë në Tiranë për finalen e Conference League

Futboll

Rreth 35 mijë tifozë në Tiranë për finalen e Conference League

Më: 26 prill 2022 Në ora: 11:11
Rreth 35 mijë tifozë në Tiranë për finalen e Conference League

Vetëm 30 ditë kanë mbetur nga finalja e madhe e kompeticionit më të ri të UEFA-s, Conference League, që do të zhvillohet në Tiranë më 25 maj.

Për këtë arsye, e gjithë Federata Shqiptare e Futbollit është vënë në dispozicion të UEFA-s, për të pritur dhe organizuar një ndeshje të veçantë dhe historike për Tiranën e të gjithë Shqipërinë, që pritet do të vizitohet më 25 maj nga rreth 35 mijë tifozë sipas përllogaritjeve të UEFA-s, duke kthyer kështu vëmendjen në këtë datë drejt kryeqytetit shqiptar.

Stadiumi i ndeshjes, “Air Albania” pritet të pësojë disa ndryshime në shërbim të finales. Në një intervistë për televizionin “Top Channel”, drejtori i Departamentit të Komunikimit në FSHF, Andi Verçani flet për këto ndryshime, që pritet të prekin tribunat e miqve dhe tribunën e medias.

“Për finalen e 25 majit, stadiumi “Air Albania” pritet të ketë modifikime në disa sektorë dhe reduktim të tifozëve, me 1000 mijë spektatorë, nga 22.000 duke zbritur në 21.000, për shkak se në tribunën e miqve, është parashikuar vendosja e katër studiove të reja televizive që do të shërbejnë për transmetuesit zyrtarë të ndeshjes. Në pjesën e tribunës së medias, me 75 vende do të kemi një zgjerim, që do të shkojë deri në 300 vende” – thotë ai për Top Channel.

Verçani flet edhe për se si do të ndahen tifozeritë e skuadrave finaliste që pritet të mbushin stadiumin “Air Albania” më 25 maj.

 “Në krahun verior, parashikohen tifozët e Feynoord ose të Marseille-s, të cilët do të kenë 4500 vende, ndërsa në krahun jugor parashikohen 4500 tifozët e ekipit tjetër finalist, Romës ose Leicester”.

Edhe pse ende nuk kanë dalë në shitje, interesi për të blerë bileta dhe për të qenë i pranishëm në stadium më 25 maj është i madh.

Për shkak të kapacitetit prej rreth 21.000 mijë vendesh në total, që nuk lejon që të gjithë tifozët të kenë mundësi të shohin ndeshjen “live” në stadium, UEFA ka vendosur që të ketë dy pika grumbullimi tifozësh në kryeqytet, ku njëra do të jetë në pedonalen e kryeqytetit, ku do të jenë tifozët e Feynoord ose Marseille-s, ndërsa pika tjetër e grumbullimit do të jetë te diga e liqenit, ku pritet të jenë tifozët e Romës ose Leicesterit.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat