Prapaskena e bujshme

Futboll

Prapaskena e bujshme

Më: 28 prill 2022 Në ora: 16:11
Erling Haland

Erling Haland dhe Bajerni i Mynihut. Me sa duket zërat për një kalim në Mynih të norvegjezit do të na shoqërojnë deri në fund të merkatos së verës. Lajmi për një takim të sulmuesit të Dortmundit dhe drejtorit sportiv, Hasan Salihamixhiç, në muajin mars në Mynih, ka krijuar spekulime të fuqishme.

Sipas “Sky”, fakti që klubi i Dortmundit dhe lojtari norvegjez nuk e kanë mohuar ende një lajm tillë të bën të mendosh që gjithçka ka qenë e vërtetë. Ndërkohë që po sipas “Sky”, mund të kemi pasur një “po” të lojtarit për Bajernin dhe kjo lidhur me faktin se Leva po kërkon me ngulm të largohet në fund të sezonit dhe për faktin tjetër se lojtari ende nuk ka konfirmuar zërat që e lidhin atë me Sitin.

Vetëm javën e kaluar, mediet angleze shkruajtën për një marrëveshje mes norvegjezit dhe klubit nga Premier Ligë. Por disa ditë më vonë, zërat e nxehtë që vinin nga Mançesteri u shuan dhe tani çështja ka mbetur pezull.

Edhe pse Oliver Kahn, CEO i skuadrës së Bajernit, tha për paketën Haland se ishte e papërballueshme për momentin edhe pse nuk ishte një “jo” definitive. Fjalët e drejtorit sportiv, Hasan Salihamixhiç, në fund të shkurtit janë ato që kanë mbetur në memorien e të gjithëve.

“Sigurisht që kemi menduar për Halandin dhe do të bëjmë maksimumin që një lojtar që shënon 30 gola në sezon të vijë dhe të luajë për ne. Jemi Bajerni dhe këtu luajnë më të mirët”, ishte shprehur “Brazo” në atë kohë.

Nëse ai po punon në fshehtësi për të lëshuar bombën në fund të sezonit, kjo mbetet për t’u parë. Me siguri do të ishte një nga transferimet më të bujshme në Europë.

Por që kjo të ndodhë duhet të presim ndoshta dhe largimin e Robert Levandovskit nga Mynihu, polaku duket me valixhe në duar drejt Barcelonës. Katalanasit e duan dhe Roberti ndihet i ngopur në Gjermani.

Bajerni i ka vënë një çmim prej 40 milionë eurosh 34-vjeçarit, kontrata e të cilit skadon në qershorin e 2023-shit.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat