Sociedad ndalet nga Rayo Vallecano

Futboll

Sociedad ndalet nga Rayo Vallecano

Më: 1 maj 2022 Në ora: 22:10
Sociedad ndalet nga Rayo Vallecano

Real Sociedad nuk përfiton nga hapi fals i Atletico Madrid, me baskët që nuk shkuan më shumë se barazimi 1-1 në transfertën e Rayo Vallecano-s.

Në “Estadio de Vallecas” u zhvillua një sfidë me “dy fytyra”, me Sociedad që dominoi të gjithë fraksionin hapës, ndërsa vendasit bënë të njëjtën gjë në pjesën e dytë. Baskët i shkuan pranë golit që në fillim të sfidës, me tre raste të sulmuesit Portu, por spanjolli nuk ia doli të finalizonte asnjërin prej tyre. Mes rasteve të shumta, Sorloth zhbllokoi ndeshjen pas 33 minutash lojë, falë një aksioni personal, duke i dhënë avantazhin Sociedad-it. Në fundin e fraksionit, vendasit reaguan, por pa konkretizuar në portën e Alex Remiro-s.

Pjesa e dytë nisi aty ku u mbyll fraksioni i parë, me madrilenët superior, të cilët morën kontrollin e sfidës. Remiro ishte shpëtimtari i baskëve në disa raste, ndërsa sulmi i Sociedad u zhduk pa lënë gjurmë.

Në minutën e 77-të, Radamel Falcao u rikthye në fushën e lojës pas 2 muajsh mungesë dhe i mjaftuan 200 metra dhe 60 sekonda për t’u rikthyer te goli, me kolumbian që realizoi golin e barazimit, falë një paniku në zonën baske. Vendasit krijuan raste edhe për golin e dytë, por përmbysja nuk u realizua.

Një gol dhe një pikë për të dyja skuadrat në javën e 34-të të La Liga-s, me Vallecano që shkon në kuotën e 41 pikëve në vendin e 11-të, ndërsa Real Sociedad shpërdoron kështu shansin e artë për t’u afruar me vendin e katërt, pasi tani e sheh Atletico-n pesë pikë larg, me baskët të cilët qëndrojnë në vendin e gjashtë tanimë në kuotën e 56 pikëve.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat