Sfida vendimtare që përcakton finalen e Champions-it

Futboll

Sfida vendimtare që përcakton finalen e Champions-it

Më: 4 maj 2022 Në ora: 13:05
Sfida vendimtare që përcakton finalen e Champions-it

Gjysmëfinalja e kthimit në Ligën e Kampioneve sonte në mbrëmje (21:00) në Madrid mes Realit dhe Sitit nuk është thjeshtë një ndeshje mes titanësh. Ajo është edhe një përballje mes klubesh me tipologji krejt të ndryshme.

Nga njëra anë është Reali i Madridit, një klub me karakter historik, e mbështetur nga 120 vite suksese dhe nga një muze i jashtëzakonshëm titujsh e trofesh.

Nga krahu tjetër është Mançester Siti, një klub i bazuar te fuqia financiare, që po kërkon triumfin në Europë nëpërmjet injektimit të milionave eurove nga pronarët.

Në vitin 2008, familja mbretërore në Abu Dabi mori kontrollin e Sitit dhe që nga ai moment nisi një valë të pandalshme investimesh për “Qytetarët”.

Tetë vite më vonë ata do të nënshkruanin me atë që mbahet si trajneri më i mirë në botë, Pep Guardiola.

Me afrimin e tij në skuadër shumë gjëra kanë ndryshuar te Siti. Investimet janë shtuar, po ashtu edhe sukseset, veçanërisht ato në ishull.

Që kur katalanasi u emërua trajner i Mançester Sitit, klubi ka shpenzuar diçka më shumë se 1 miliard euro në merkato (1.081,9 miliard euro).

Edhe Reali i Madridit nuk ka qëndruar duarkryq. Gjigantët spanjollë janë gjithashtu një nga shpenzuesit e mëdhenj në merkato.

Ata kanë hedhur 609.7 milionë euro në merkato. Por nëse marrim parasysh diferencat mes arkëtimeve dhe shpenzimeve, raportet e dy klubeve janë vërtetë të mëdha.

Që nga vera e vitit 2016 (vit kur Guardiola mori drejtimin e Sitit), Reali i Madridit ka shpenzuar 472.2 milionë euro më pak se Siti në merkato.

Praktikisht Siti ka shpenzuar 77.4% më shumë para se Reali për të përforcuar skuadrën. Në të njëjtën kohë, Reali ka realizuar gjatë kësaj periudhe shitje me vlerën e 628.8 milionë eurove, duke pasur një bilanc të përgjithshëm prej 19.1 milionë eurosh mes shpenzimeve dhe arkëtimeve.

Krejt ndryshe Siti që numëron një saldo negative prej -656.3 milionë eurosh. I madh në Angli, i vogël në Europë – Që nga mbërritja e Pepit, Siti është kthyer në një superfuqi në Angli. Që nga viti 2016 ka fituar tri herë Premier Ligën dhe po tenton të katërtën në këtë sezon. Këtyre trofeve u shtohen dhe 4 Kupa Lige, një Kupë FA dhe një Superkupë në Angli.

Gjithsej janë 10 trofe të fituar nga Siti i Guardiolës që nga viti 2016. Për të njëjtën periudhë kohe edhe Reali i Madridit ka fituar të njëjtin numër trofesh.

Por diferencën e madhe mes dy klubeve në sukseset e arritura gjatë kësaj periudhe e ka bërë Europa. Aty Reali është i padiskutueshëm.

“Los Blancos” gjatë kësaj periudhe kanë fituar plot 3 herë Ligën e Kampioneve kundrejt zero të Mançester Sitit. “Qytetarët” iu afruan në sezonin e kaluar, por u mundën në finalen të gjithën angleze nga Çelsi.

Sonte në mbrëmje Siti do të kërkojë të hedhë hapin për finalen e dytë radhazi në historinë e vet në Champions, por llogaritë duhet t’i bëjë me “Mbretin” e Europës.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat