Rossi: Edicion i mirë, kemi arritur rezultate pozitive

Futboll

Rossi: Edicion i mirë, kemi arritur rezultate pozitive

Më: 8 maj 2022 Në ora: 11:26
Rossi: Edicion i mirë, kemi arritur rezultate pozitive

Federata Shqiptare e Futbollit ka përmbyllur me sukses seancat teorike të edicionit të katërt të kursit për video-analistë futbolli. Ky kurs nisi më 3 maj nën udhëheqjen e video-analistit të Kombëtares shqiptare, Alarico Rossi, dhe zgjati rreth 5 ditë, ku në total u zhvilluan 20 orë mësimore.

Në këtë kurs morën pjesë 30 kursantë shqiptarë nga brenda dhe jashtë vendit, të cilët ndoqën me kërshëri leksionet për këtë kurs. Në një prononcim për fshf.org, drejtuesi i këtij kursi, Alarico Rossi vlerëson 30 pjesëmarrësit, ndërsa thekson se edicionet sa vijnë e bëhen më të mira, pasi tashmë, figura e video-analistit të futbollit nuk është më një risi për klubet shqiptare.

“Ky ishte kursi i katërt për video-analistë. Ishte një edicion shumë i mirë, ku morën pjesë kursantë shumë cilësore dhe shpresojmë që t’ia dalin edhe në testin përfundimtar që do të bëhet javën e ardhshme.

Në këtë kurs patëm një pjesëmarrje prej 30 personash, shqiptarë që rrinë këtu, por na kanë ardhur edhe nga jashtë vendit, vetëm për të ndjekur këtë kurs. Duhet thënë që ky projekt nuk është më një risi e Federatës Shqiptare të Futbollit, që e ka nisur që prej vitit 2020 dhe në fakt kemi pasur rezultate mjaft pozitive sepse sot që flasim kemi 5 video-analistë në ekipet kombëtare të moshave, 2 analistë në kampionatin “Abissnet Superiore”. Kemi shumë kërkesa nga klubet, jo vetëm ato superiore, por edhe nga Kategoria e Parë, për të futur video-analistin në stafin e skuadrave.

Video-analisti është një profesion i ri në futbollin shqiptar dhe shumë i rëndësishëm për të rritur cilësinë e skuadrës dhe nuk analizon vetëm lojën e ekipit kundërshtar, por edhe lojën e ekipit të tij.

Ne kemi një projekt të madh, pasi nga edicioni i ardhshëm do të organizojmë workshop-e për klubet për zhvilluar sa më shumë këtë profesion. Është një rezultat i madh, sepse e kemi nisur nga zero dhe tani shqiptarët nga e gjithë bota duan të jenë këtu me ne për të mësuar këtë profesion të ri” – thotë Rossi.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat