Ja shifrat e një sezoni plot emocione për vajzat

Futboll

Ja shifrat e një sezoni plot emocione për vajzat

Më: 17 maj 2022 Në ora: 20:57
Ja shifrat e një sezoni plot emocione për vajzat

Federata Shqiptare e Futbollit vazhdon të mbështesë zhvillimin e futbollit të femrave si një nga prioritetet e saj dhe shtyllat e strategjisë “Futbolli për Kombin”. Në këtë kuadër qeveria e futbollit shqiptar është fokusuar edhe te kampionati i shkollave 9-vjeçare, si një turne që synon të afrojë sa më shumë vajzat e vogla me sportin më të dashur në Shqipëri.

Kampionati po i afrohet fundit teksa në zonën e Tiranës ka përfunduar faza e grupeve, ku morën pjesë 13 ekipe shkollash të ndara në dy grupe. Tashmë janë përcaktuar ekipet finaliste për çdo grup dhe mbetet për t’u luajtur finalja që do të shpallë ekipin më i mirë mes shkollave.

Në zonën e Fierit ka përfunduar tashmë kampionati, ku morën pjesë 11 ekipe shkollash 9-vjeçare që u përballën me njëra-tjetrën në dy faza, teksa ekipi më i mirë është shpallur ai i shkollës “Jani Bakalli”.

Në zonën e Elbasanit kampionati është në javën e 15-të me pjesëmarrjen e 10 skuadrave më konkretisht 8 ekipe shkollash dhe 2 ekipe akademish. Aktualisht ekipet që kryesojnë renditjen mirë janë ai i akademisë AFF Elbasani dhe i shkollës “Fadil Gurmani”.

Në zonën e Durrësit kampionati i shkollave 9-vjeçare, ku marrin pjesë 9 ekipe, është në javën e 14. Deri më tani kampionatin e kryeson shkolla “Kushtrimi i lirisë “ e ndjekur nga shkolla “Marie Kaculini” dhe shkolla “Nënë Tereza”. Me përfundimin e fazës së dytë do të përcaktohet edhe ekipi më i mirë për shkolla për edicionin 2021-2022.

Sakaq, në zonën e Korçës marrin pjesë 8 shkolla të ndara në dy grupe me nga 4 ekipe secila. Kampionati është në javën e 4-t, ndërsa pas përfundimit të fazës së grupeve dhe përcaktimit të ekipve më të mira të secilit grup do të zhvillohet edhe ndeshja finale.

Federata i kushton një fokus të veçantë kampionatit të shkollave 9-vjeçare për vajza, duke i pajisur me bazë materiale, si uniforma dhe topa futbolli, duke ndihmuar dhe asistuar kështu këto vajza që janë bërë pjesë e kësaj loje dhe stafet e tyre.

60 shkolla 9-vjeçare i janë bashkuar kësaj iniciative të veçantë në disa qarqe të vendit, teksa numri i vajzave që luajnë futboll është 887, një shifër mjaft e mirë kjo për të ardhmen dhe zhvillimin e futbollit të femrave në vendin tonë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat