Ja formacioni i mundshëm i Shqipërisë

Futboll

Ja formacioni i mundshëm i Shqipërisë

Më: 8 qershor 2022 Në ora: 11:59
Ja formacioni i mundshëm i Shqipërisë

Kombëtarja ka lënë pas barazimin ndaj Islandës dhe që prej ditës së djeshme është kthyer në Shqipëri, për të vazhduar përgatitjet për takimin e radhës ndaj Izraelit, që do të luhet ditën e premte në orën 20:45 në “Air Albania”.

Asnjë ditë pushim për kuqezinjtë, pasi koha është e limituar dhe që pasditen e djeshme, pasi kanë konsumuar drekën, grupi ka zhvilluar një seancë stërvitore në orën 19:30.

Në përgjithësi ishte një seancë e lehtë për titullarët që luajtën në Islandë dhe disi me ngarkesë programi i atyre lojtarëve që nuk morën minuta.

Stërvitja – Një lajm i mirë është që seancës stërvitore i janë bashkuar Armando Broja me Myrto Uzunin, të dy mungonin në ndeshjen e parë të Ligës së Kombeve.

Sulmuesi i Çelsit mbeti jashtë për shkak të infektimit me COVID, por tani çdo gjë ka kaluar, ndërsa Uzuni kishte një shqetësim në kavilje dhe stafi teknik nuk donte të rrezikonte me sulmuesin.

Ndërkohë, e kundërta për Odise Roshin, i cili nuk është stërvitur për shkak të një gjendjeje gripale që po kalon.

IZRAELI – Kundërshtari i radhës mund të jetë i panjohur për trajnerin Edi Reja, por jo për Kombëtaren, pasi në drejtimin e Panuçit dhe De Biazit jemi përballur gjithsej 4 herë me ta.

Dy takime flasin në favor të Shqipërisë dhe dy për Izraelin, ndërkohë që asnjë sfidë s’ka përfunduar në barazim.

Nga përballjet e fundit, në shtator-tetor të 2018, po në Ligën e Kombeve, Shqipëria ka fituar në shtëpi 1-0 dhe ka humbur në Izrael 2-0.

Ndërkohë, në dy takimet për kualifikueset e Kupës së Botës 2018, në shtëpi kemi humbur 0-3 dhe po me të njëjtin rezultat kemi fituar në transfertë.

Aktualisht, këtë vit, sërish me Izraelin në grupin e Ligës së Kombeve do të përballemi dy herë, në shtëpi ditën e premte dhe në shtator në Izrael.

FORMACIONI – Me Izraelin mendohet se do të ketë hapësirë edhe për disa lojtarë të tjerë. Mundësia më e madhe do të jetë që të aktivizohet Bajrami apo Asllani, pavarësisht se mesfusha me Islandën ishte në nivelin e duhur, përveç disa momenteve në pjesën e dytë.

Porta dhe mbrojtja pritet që të jetë e pandryshuar me Berishën, Balliun, Ismajlin, Kumbullën, Gjimshitin dhe Hysajn.

Në mesfushë, Abrashi, Gjasula dhe një vend luhet mes Çekiçit, Bajramit dhe Asllanit.

Ndërkohë në sulm, italiani duhet të presë të shohë gjendjen fizike të Brojës, i cili mund të aktivizohet nga fillimi, por edhe Uzunit ky i fundit është stërvitur i diferencuar nga grupi.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat