Mancini ka një koment edhe për të rinjtë

Futboll

Mancini ka një koment edhe për të rinjtë

Më: 29 qershor 2022 Në ora: 19:36
Mancini

Tifozët e Italisë shijuan vjet një verë të paharrueshme, kombëtarja e kaltër zhvilloi si rrallë herë një futboll të bukur dhe fitoi Euro 2021, por më pas rezultatet dhe loja e skuadrës së Roberto Mancinit pësuan rënie të ndjeshme.

Italia humbi disa mundësi për t’u kualifikuar në Botërorin Katar 2022. Fundi u prek në mars, me katër herë kampionët e botës që u shtangën nga Maqedonia e Veriut, duke mbetur për herë të dytë radhazi pa Kupë Bote!

Mancini ka vendosur të bëjë një revolucion të madh në kombëtare, duke ftuar shumë lojtarë të rinj, disa prej tyre të panjohur për opinionin. Në prononcimin e fundit, ish-sulmuesi shpjegoi pse vendosi të mos tërhiqej pas disfatës së turpshme me Maqedoninë e Veriut.

“Kaluam një vit e gjysmë të jashtëzakonshëm, fituam edhe Europianin. Më pas kaluam disa situata negative, fati i keq na pushtoi, u mblodhën të gjithë të këqijat së bashku…

Nuk mund të largohesha! Tani kam mundësinë e ringritjes, na presin katër vite tepër të rëndësishme përpara, edhe pse askush nuk e di nëse mund të fitojmë Euro 2024 apo Botërorin në 2026“.

Më pas një koment për të rinjtë: “Fatkeqësisht nuk kemi shumë alternativa, duhet të kërkojmë shpejt të rinj që mund të mos njihen mirë për momentin ose të mos luajnë në një nivel shumë të lartë.

Po bazohemi te kualiteti, aspekti fizik mund të përmirësohet. Shpresoj që lojtarët që kemi ftuar të jenë të dobishëm në të ardhmen për kombëtaren, por edhe për klubet ku luajnë.

Djemtë janë të gjithë të mirë, ata mund të bëjnë disa budallallëqe, por më pas kur fillojnë të luajnë në një nivel të lartë e kuptojnë se duhet të jenë seriozë dhe se duhet të angazhohen, sepse duke qenë një futbollist gjithmonë mund të përmirësohesh.

Ndodh edhe në moshën 30-vjeçare, çdokush mund të përmirësohet. Talentet tanë kanë një të ardhme të madhe përpara dhe kur patën mundësinë të luanin, e treguan, siç bëri Zaniolo“, theksoi Roberto Mancini.

Të nderuar lexues të gazetës “Bota sot”, komentet që përmbajnë fyerje, ofendime dhe sharje nuk lejohen në portal. Andaj, komentet e juaja do të kalojnë në filtra për aprovim dhe të tillat që përmbajnë gjuhë që nuk përkon me rregullat, nuk do të aprovohen. Ju faleminderit.
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat