Agim Ademi uron gazetarët sportivë 

Futboll

Agim Ademi uron gazetarët sportivë 

Më: 2 korrik 2022 Në ora: 11:27
Agim Ademi

Komuniteti i gazetarëve sportivë në mbarë botën sot shënon ditën botërore të gazetarëve sportivë. E në këtë ditë të shënuar, presidenti Agim Ademi nëpërmjet një mesazhi ka uruar tërë drejtuesit dhe anëtarët e Shoqatës së Gazetarëve Sportivë të Kosovës dhe tërë komunitetin e gazetarëve sportivë.

"Sot gazetarët sportivë kudo në botë shënojnë Ditën Botërore të Gazetarisë Sportive. Në këtë ditë të veçantë, dua të uroj të gjithë gazetarët sportivë në vendin tonë, drejtuesit dhe anëtarët e SHGSK-së, e po ashtu edhe doajenët e gazetarisë sportive tashmë në pension, të cilët ndër dekada kontribuuan në zhvillimin dhe pasqyrimin e sportit të Kosovës dhe jo vetëm.

Si president i FFK-së në vazhdimësi jam përpjekur të jem i hapur, i afërt dhe mbështetës i gazetarëve sportivë, ndonëse në raste të caktura disa ndoshta pa fajin e tyre, nuk iu kanë përmbajtur misionit i cili u takon – pasqyrimit të vërtetës.

Sidoqoftë, unë dhe FFK-ja si institucion, do të vazhdojmë të ruajmë dhe të zhvillojmë raportet e bashkëpunimit me mediat në përgjithësi dhe do të përkujdesemi që gazetarëve sportivë t’u krijojmë kushte sa më të mira në stadiumet e futbollit.
Inkurajoj gazetarët sportivë që të vazhdojnë pasqyrimin real të të arriturave në sport, por edhe shpërfaqjen e problemeve apo ngecjeve, ngase vetëm në këtë mënyrë i shërbejnë informimit të drejtë të opinionit, por edhe ndihmojnë në përmirësimin e mëtejmë të sportit.

Sporti ka qenë segment i rëndësishëm i rezistencës dhe shtetndërtimit, derisa pas shpalljes së pavarësisë është treguar si ambasadori më i mirë i vendit, duke i pasqyruar vlerat e shoqërisë sonë. E në këtë aspekt rol të rëndësishëm kanë luajtur edhe gazetarët sportivë.

Edhe një herë urime, shëndet e suksese për të gjithë Ju të nderuar gazetarë sportivë!", uron Agim Ademi, president i FFK-së.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat