Ademi bëri hapjen e turneut “Shpresa për Jetimët” në Ingolstad 

Futboll

Ademi bëri hapjen e turneut “Shpresa për Jetimët” në Ingolstad 

Më: 3 korrik 2022 Në ora: 11:07
Ademi bëri hapjen e turneut “Shpresa për Jetimët” në Ingolstad 

Presidenti i FFK-sl, Agim Ademi po qëndron në Ingolstad të Gjermanisë ku sot po zhvillohet turneu tradicional në futboll i organizuar nga veprimtari shqiptar, Shemsedin Arifi, me prejardhje nga Vitia. Kësaj radhe turneu ka karakter humanitar dhe është emëruar “Shpresa për Jetimët”. Në turne marrin pjesë 48 ekipe nga pothuajse tërë Gjermania, derisa të gjitha mjetet e grumbulluara do të jenë të dedikuara për shoqatën “Jetimat e Ballkanit”.

Në hapje solemne të këtij turneu presidenti Agim Ademi i shprehu mirënjohje Shemsedin Arifit për organizimin e këtij turneu madhështor dhe të gjithë atyre që kanë dhënë kontribut për realizimin e tij. Ai theksoi se ndihet i lumtur që bashkëatdhetarët tanë edhe nëpërmjet futbollit po arrijnë të kontribuojnë për atdheun dhe sidomos për një kategori të tillë të ndjeshme të shoqërisë sonë, e të cilëve u nevojitet mbështetja e të gjithëve.

Tutje, presidenti Ademi theksoi se ky turne përveç aspektit humanitar ka rëndësi edhe për faktin se futbolli po i bashkon shqiptarët dhe në këtë mënyrë ata po i tregojnë vlerat e tyre sportive e humane.

“Diaspora jonë është aset kombëtar dhe shtetëror, ku kontributi i tyre për atdhe ka qenë gjithmonë i pranishëm dhe i veçantë si në rezistencë, liri dhe shtetndërtim. Andaj jemi shumë me fat që kemi një Diasporë të tillë dhe ju falënderoj shumë edhe për përkrahjen parezervë të futbollit”, ka nënvizuar kreu i FFK-së.

Të pranishëm në këtë turne janë edhe shumë veprimtarë e kontribues nga Diaspora si dhe kryetari i shoqatës bamirëse “Jetimat e Ballkanit”, Halil Kastrati, i cili së bashku me presidentin Ademi e nisën topin e parë të këtij turneu, teksa pjesëmarrës në këtë aktivitet është edhe një ekip nga Kosova, me ftesën dhe organizimin e vëllëzërve Hoti nga Klina.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat