Drita kërkon rezultat sa më të mirë në Turku

Futboll

Drita kërkon rezultat sa më të mirë në Turku

Më: 6 korrik 2022 Në ora: 11:07
Drita

Drita do ta nisë sot eksperiencën e re evropiane.

Nënkampioni i Kosovës do të përballet sot me klubin finlandez, Inter Turku, në kuadër të rrethit të parë kualifikues të Conference League.

Gjilanasit janë bërë të rregullt tash e sa vite në garat evropiane dhe kanë fituar sadopak përvojë.

Prandaj, ata e kanë marrë rrugën drejt Finlandës me synim që ta nxjerrin një rezultat të favorshëm para lojës së kthimit, të cilën do ta luajnë pas një jave në Kosovë.

Për “Intelektualët” edhe një barazim eventual sot do të ishte i favorshëm, pra me rëndësi është që të mos humbin në Finlandë.

Trajneri Ardian Nuhiu thekson se kjo do të jetë një përballje e vështirë, por ai ka besim te skuadra që tashmë e ka ndërtuar, para sfidës që do të luhet në “Veritas Stadium” në Turku.

“Do të jetë një përballje e vështirë, pasi bëhet fjalë për një skuadër shumë të mirë me grup të mirë të lojtarëve dhe një trajneri që ka ide të qarta.

Megjithatë, edhe ne kemi pasur kohën e mjaftueshme gjatë kësaj faze përgatitore dhe me futbollistët kemi studiuar kundërshtarin dhe duhet t’i mbyllim pikat e tyre të forta. Ne duhet t’i shfrytëzojmë cilësitë tona, kam besim te skuadra që do të bëjë një performancë të mirë.

Djemtë kanë punuar shumë gjatë kësaj faze dhe tani jemi gati për këtë sfidë. Skuadra jonë do të duket ndryshe nga viti i kaluar falë grupit që kemi ndërtuar”, theksoi Nuhiu.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat