Dervishaj: Fëmijët, e ardhmja e futbollit. Baza materiale falas për të gjithë

Futboll

Dervishaj: Fëmijët, e ardhmja e futbollit. Baza materiale falas për të gjithë

Më: 7 korrik 2022 Në ora: 13:03
Dervishaj: Fëmijët, e ardhmja e futbollit. Baza materiale falas për të gjithë

Stacioni i radhës për prezantimin e projektit madhor të FSHF-së “Uniforma Ime”, që parashikon ofrimin e një seti me bazë materiale falas çdo fëmije që luan futboll në gjithë vendin, ishte qyteti i Fierit.

Të pranishëm në ceremoninë e prezantimit të këtij projekti që u zhvillua në ambientet e stadiumit “Loni Papuçiu” ishin Zv.Presidenti i FSHF-së, Arben Dervishaj, përfaqësues të Shoqatës Rajonale të Futbollit Fier, trajnerë, futbollistë të vegjël dhe prindër të shumtë.

Projekti në fjalë është një iniciativë tejet vitale për zhvillimin e futbollit në vendin tonë, pasi Federata e Futbollit duke nisur që nga ky sezon do të garantojë për të gjithë fëmijët që luajnë futboll nga mosha U-7 e deri në moshën U-19 veshjet pa asnjë pagesë. Një set konsiston në uniformë loje, uniformë stërvitjeje, komplet tutash dhe fëshe kundra shiut për stërvitje së bashku edhe me çantën e stërvitjes.

Zv.Presidenti i FSHF-së, Arben Dervishaj theksoi rëndësinë e kësaj iniciative, që bazohet në një nga shtyllat e strategjisë së zhvillimit të futbollit që ka FSHF. Në fjalën e tij Dervishaj theksoi se masivizimi i futbollit dhe mbështetja e futbollit të fëmijëve janë në fokusin kryesor të FSHF-së dhe projekti “Uniforma Ime” do të ulë akoma më shumë kostot e fëmijëve që luajnë futboll.

“Dihet që për FSHF-në një nga shtyllat kryesore të strategjisë së lançuar vetëm pak muaj më parë ka qenë zhvillimi i futbollit të fëmijëve. Ashtu siç fëmijët janë e ardhmja e një kombi, dhe futbolli i fëmijëve është e ardhmja e futbollit shqiptarë. Pa këtë futboll fëmijësh ne nuk do të kemi ekipe të rriturish, nuk do të kemi një ekip Kombëtar cilësor.

Bazuar në këtë  strategji Federata është fokusuar në tre drejtime, duke nisur nga krijimi i një infrastrukture sa më moderne për zhvillimin e stërvitjes dhe ndeshjeve të fëmijëve, dhe këtë e kemi lançuar më parë me projektin e 100 fushave që do t’i ndërtojmë në bashkëpunim me njësitë e pushtetit lokal brenda një 5-vjeçari.

Gjithashtu, jemi përqendruar në një program për reformimin e rregullave të lojës dhe garave sa më adekuate, që po rishikohet nga një grup specialistësh pranë FSHF-së dhe tjetra është minimizimi i kostove që fëmijët kanë për t’u marrë me futboll”, – thotë Dervishaj, duke shpjeguar se të gjithë prindërit kanë shpenzime të konsiderueshme për çdo fëmijë që merr pjesë në futboll dhe për këtë arsye fokusi i Federatës ka qenë gjithmonë minimizimi i kostove dhe shkuarja drejt kostos zero të shpenzimeve për çdo fëmijë që do të luajë futboll.

“Ne kemi nisur vite më parë projektin ‘Topi Yt’, që konsiston dhënien e topave pa pagesë për çdo ekip të rriturish e fëmijësh, kemi vijuar me uljen e kostove për zhvillimin e garës nëpërmjet pagesës nga buxheti i FSHF-së të gjithë arbitrave, delegatëve e vëzhguesve dhe tani po lançojmë këtë projekt të ri që quhet ‘Uniforma Ime’.

Duke filluar muaji shtator asnjë fëmijë që luan futboll në Shqipëri nuk do të ketë nevojë të blejë uniforma, por do të përfitojë falas setin e plotë, duke nisur nga çanta, uniforma e lojës, uniforma e stërvitjes, komplet tutash dhe fëshe stërvitjeje.

Të gjitha këto fëmijët do t’i marrin falas pa asnjë shpërblim pasi do të përballohen nga buxheti i Federatës Shqiptare të Futbollit. Nga ky projekt përfitojnë rreth 15 mijë fëmijë në të gjithë Shqipërinë. FSHF ka parashikuar këtë vit 1 milion euro që do të jetë për këtë projekt. Natyrisht që ky buxhet do të vazhdojë të rritet, sepse qëllimi kryesor i Federatës është masivizimi dhe rritja e futbollit amator. Ne kemi synim që të shtojmë numrin e futbollistëve dhe fëmijëve që luajnë futboll, nga 15 mijë në 30 mijë brenda një 10-vjeçari dhe çdo fëmijë që do të kërkojë të luajë futboll, pra do të jetë pjesë e ekipeve, uniformën do ta ketë falas gjithmonë”, – tha Dervishaj.

Në këtë ceremoni festive mbajti edhe një fjalë përshëndetëse portierja e Apolonisë dhe Kombëtares së femrave, Antigona Hyska, e cila punon gjithashtu si trajnerë me fëmijët e vegjël. Hyska vlerësoi impaktin e rëndësishëm që do të ketë projekti “Uniforma Ime” për futbollin e fëmijëve, pasi i heq çdo familjeje që ka fëmijë që merren me futboll një shpenzim që nuk është i vogël. “Ne që punojmë çdo ditë me fëmijët i dimë mire vështirësitë që kanë fëmijët dhe familjet e tyre për të përballuar shpenzimet që duhen për të luajtur futboll.

Përmirësimi i infrastrukturës dhe ofrimi falas i bazës materiale është një shtysë për fëmijët që duan të merren me futboll. Në fakt kostoja që ka ky projekt në të gjithë Shqipërinë është goxha i madh, po aq i madh sa edhe impakti social që do të ketë.

Tashmë të gjithë fëmijët që luajnë futboll në të gjithë Shqipërinë do të marrin nga FSHF uniforma stërvitje dhe loje, tuta, xhup stërvitjeje dhe çante. Është një ndihmesë e konsiderueshme dhe unë shpresoj shumë që me të tilla incentiva të ndërmarra nga Federata te mund të afrojmë edhe më shumë vajza dhe djem me botën e bukur të futbollit”, – tha Hyska.

Gjithashtu, gjatë aktivitetit përshëndeti edhe prindi i një fëmije që luan futboll, duke vlerësuar kontributin e FSHF-së që ka një impakt të çmuar në buxhetin e çdo familjeje, fëmijët e të cilës merren me sportin më të dashur në Shqipëri.

“Unë jam prindi i një fëmije që merret që nga viti 2016 me futboll, gjatë këtyre viteve edhe unë ashtu si ju kemi hasur shumë vështirësi në rrugëtimin tonë për t’i plotësuar fëmijës këtë dëshirë të madhe. Kështu që falënderojmë shumë FSHF-në për këtë projekt, sepse është një ndihmesë shumë e madhe për ne”, tha Renata Bregovina.

Projekti më i ri i FSHF-së do të ketë impakt të drejtpërdrejtë në mbi rreth 15.000 familje shqiptare, fëmijët e të cilëve merren me futboll. Dhënia falas e uniformave për të gjithë fëmijët që luajnë futboll, duke nisur nga sezoni i ri, pritet të ndikojë edhe në afrimin e më shumë djemve dhe vajzave në botën magjike të futbollit.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat