Shaqiri: Shtylla më e fortë e AIK-ut është sulmi 

Futboll

Shaqiri: Shtylla më e fortë e AIK-ut është sulmi 

Më: 3 gusht 2022 Në ora: 23:45
Shaqiri dhe Neziri

Trajneri i Shkëndijes së Tetovës, Artim Shaqiri dhe futbollisti Mexhit Neziri, kanë folur para mediumeve në Stokholm të Suedisë për pritshmëritë e tyre nga ndeshja e ditës së nesërme ndaj AIK-ut.

Shkëndija të enjten me fillim në orën 19:00 luan ndeshjen e parë të raundit të tretë eliminator të UEFA Conference League, ndërsa në prag të kësaj ndeshje, para gazetarëve në konferencë për shtyp folën shefi i stafit teknik Artim Shaqiri dhe Mexhit Neziri.

“Ndeshja ndaj AIK-ut është më ndryshe nga dy raundet paraprake. Normalisht që kundërshtari duhet të vlerësohet në maksimum, e kam thënë edhe më herët se AIK është favorit, por favorit ngelet vetëm në letër sepse kur futemi në fushë e respektojmë vetëm veten tonë.

Kemi ardhur këtu që të luajmë një ndeshje të bukur dhe të marrim një rezultat pozitiv.

Do të mundohemi që të nderojmë edhe tifozët dhe Ballistët të cilët kanë bërë një rrugë të gjatë për të përkrahur ekipin. Shpresojmë të realizojmë planin dhe të kualifikohemi në raundin tjetër”, tha Shaqiri.

Futbollisti Mexhit Neziri është shpreh i matur para sfidës me ekipin suedez.  “Në ndeshjen e nesërme bëhet fjalë për një kundërshtar të fortë, por edhe ne i kemi anët tona të forta.

Ndeshja do të jetë interesante, ne do të japim maksimumin për një rezultat pozitiv, që t’i nderojmë edhe tifozët tanë që do të jenë nesër të pranishëm për të na përkrahur.

Shpresoj se do të arrijmë të marrim rezultat pozitiv, e që më pastaj në ndeshjen kthyese në Shkup të arrijmë kualifikimin në raundin e radhës”, tha Neziri.

Trajneri Shaqiri tha se kanë pas kohë të shkurtër për analizë: “Kemi pasur shumë kohë të shkurtër për të bërë analizën për këto ndeshjet evropiane kur çdo javë ka ndeshje. Por besoj se analizën që e kemi bërë do të na mjaftojë.

Kemi marrë informacione gjithandej, falë edhe miqve që i kemi këtu në Suedi, dhe duke marrë parasysh gjithë këto besoj se edhe në fushën e blertë do të kemi paraqitje të mirë”.

Mexhit Neziri, mendon se do të arrijnë të dalin me rezultat të mirë: “Rezultat pozitiv pa dyshim që do të ishte fitorja, por rezultat pozitiv do ta kisha llogaritur edhe barazimin”.

Shaqiri flet se cili repart është më i fortë: “Shtylla më e fortë e AIK-ut është sulmi, me siguri se nuk është e lehtë që kundër një skuadre si Vorskla të shënosh 4 gola në 2 ndeshje. Në ndeshjen e parë pranuan 3 gola, që tregon se pika e tyre e dobët është mbrojtja.

Por ne duhet ta bëjmë punën tonë, do të japim më shumë se sa është e nevojshme, më tepër se në dy raundet paraprake. Na mbetet neve që të dëshmojmë veten dhe të marrim atë për të cilën kemi ardhur, e ajo është rezultati pozitiv dhe arritja e qëllimit”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat