Agon Elezi kërkon tre pikë ndaj Osijekut

Futboll

Agon Elezi kërkon tre pikë ndaj Osijekut

Nga: Kemajl Goca Më: 12 gusht 2022 Në ora: 19:33
Agon Elezi

Në kuadër të javës së 5-të të elitës së futbollit kroat, skuadra e Varazhdinit, të dielën në orën 18.55 luan ndaj Osijekut. 

Futbollisti i Varazhdinit, Agon Elezi, shprehet optimist para kësaj sfide mjaft të vështirë. 

Elezi është në formë të mirë dhe premton maksimumin.

“Të gjithë e dijmë që Osijeku është një ekip shumë i mirë, e vërteta është se ata gjenden aktualisht në një krizë, e cila mund të jetë ose jo një avantazh për ne, por e dijmë gjithashtu që ata kanë lojtarë të lartë, individë, të cilët mund ta vendosin lojën në çdo moment.

Prandaj duhet të jemi real, të kujdesshëm dhe të vazhdojmë lojërat si në tre takimet e mëparshme dhe nëse do të jemi në nivelin e duhur, secili në maksimum, atëherë nuk do të ketë probleme. Ne do të udhëtojmë në Osijek me synimin për të fituar tre pikë.

Në ndeshjet me Hajdukun dhe Dinamon konfirmuam se mund të luajmë me skuadrat më të forta në ligë dhe dëshira jonë është të fitojmë dhe jo vetëm të paraqesim një lojë të mirë”, tha mesfushori i Varazhdinit Elezi për mediumin kroat “Varazdinske-vijesti”.
Pika e fituar në javën e kaluar në kompeticionin me kampionin aktual kroat rriti më tej besimin e lojtarëve të Varazhdinit, gjë që shihet në seancat stërvitore të kësaj jave dhe para takimit në Osijek.

“Në ndeshjet ndaj Hajdukut dhe Dinamos kemi dërguar gjithsej 37 goditje në portë, gjë që nuk e ka bërë asnjë skuadër tjetër.

Nëse dikush do të më kishte thënë para atyre ndeshjeve se do të kishim kaq shumë goditje në portë nga ato skuadra evropiane, do t'i kisha thënë se nuk kishte mundësi të ndodhte një gjë e tillë, por trajneri ynë Mario Kovaçeviç bëri një punë shumë të mirë sepse ai u përpoq që të na bindë gjatë gjithë kohës se mund të luajmë kundër çdo skuadre dhe më e rëndësishmja është gatishmëria psikike e lojtarëve.

Të gjithë jemi futbollistë dhe dijmë të luajmë futboll, por jemi edhe lojtarë të rinj dhe kemi nevojë për dikë që të na japë besim. Trajneri Kovaçeviq bëri një punë shumë të mirë në atë front dhe se kishte të drejtë u konfirmua në dy ndeshjet e mëparshme – tha Elezi.

Në dy ndeshjet e mëparshme Elezi ka qenë në situata për të shënuar gol, por topi nuk ka shkuar në rrjetë.

“Është sikur jam i pafat dhe duhet të kisha pasur të paktën tre gola deri tani. Kundër Hajdukut pata dy raste të mira, por nuk arrita të shënoja gol, ndërsa ndaj Dinamos pata tre ose katër goditje në portë, godita një herë traversën dhe nëse topi do të kishte hyrë në rrjetë, do të ishte goli im.

Nuk ka rëndësi kush do të shënojë golin, më e rëndësishmja për mua është që të fitojmë dhe të marrim tri pikë dhe të jemi të gjithë të shëndetshëm”, - përfundoi Elezi. Pas javës së katërt, Osijeku renditet në vend të gjashtë me 4 pikë dhe Varazhdini dy pozita me poshtë po me aq pikë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat