Superliga e Kosovës me sponsor të ri

Futboll

Superliga e Kosovës me sponsor të ri

Më: 18 gusht 2022 Në ora: 13:03
Superliga e Kosovës me sponsor të ri

Superliga e Kosovës në futboll, tash e tutje do të quhet ALBI MALL Superliga.

Federata e Futbollit të Kosovës (FFk), sot, e ka nënshkruar kontratën dyvjeçare me qendrën më të madhe tregtare në vend, ALBI MALL, që do të jetë sponsor gjeneral i Superligës së Kosovës në futboll.

Kësisoj, për dy vite radhazi elita e futbollit tonë do të quhet ALBI MALL Superliga. Kontratën e partneritetit e kanë nënshkruar presidenti i FFK-së, Agim Ademi dhe drejtori ekzekutiv i Albi Commerc, Sutki Humolli.

Me rastin e nënshkrimit të kontratës, presidenti i FFK-së, Agim Ademi u shpreh i lumtur që sot u zyrtarizua partneriteti me Albi Mall, si njëra nga koorporatat më të suksesshme dhe më serioze në vendin tonë, e cila çdo vit shënon rritje.

“FFK vazhdon të punojë me përkushtim të madh në avancimin e futbollit në të gjitha segmentet dhe në këtë drejtim fatmirësisht e kemi gjetur edhe përkrahjen e kompanive të ndryshme, të cilat pa hezitim po i bashkohen misionit tonë në rritjen e mëtejme të futbollit. Me këtë rast, e falënderoj Albi Mall-in për gatishmërinë dhe interesimin e tyre për ta mbështetur futbollin tonë nëpërmjet sponsorizimit të Superligës. Partneriteti i tillë është i mirëseardhur dhe i shërben interesave të të dyja palëve. Gjithsesi, nga ky partneritet përfiton futbolli ynë, për të cilin secili prej nesh po e jep kontributin në forma të ndryshme. Besoj se së bashku me Albi Mall do të ndikojmë që liga jonë elitare të shënojë rritje të mëtejme në organizim dhe në cilësi të lojës së futbollit”, ka thënë presidenti Ademi.

Në anën tjetër drejtori ekzekutiv i Albi Commerce, Sutki Humolli, është shprehur i lumtur që brendi i tyre do të jetë sponsor i Superligës për dy vite radhazi: “Kjo kontratë që na takoi sot këtu është një nga bashkëpunimet më të mira për ne si Albi Mall, duke qenë se po investojmë në kulturën e sportit kosovar.

Bashkëpunimi me Federatën e Futbollit të Kosovës na bënë të kuptojmë se futbolli përveçse është emocion në vete, dhe tashmë do të përfaqësohet me emërimin Albi Mall Superliga, i ka bashkuar edhe dy fuqi shumë përgjegjëse, prandaj edhe angazhimi ynë që të jemi pjesë e kësaj Federate dhe të investojmë në kulturën e sportit kosovar ka qenë vendim unanim nga të gjithë, që të jemi sa më afër mundësisë së zhvillimit të kulturës sportive në Kosovë. Faleminderit të gjithëve sot për praninë tuaj, Federatës së Futbollit të Kosovës suksese dhe do të na keni gjithnjë krahë!”, ka theksuar Humolli.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat