Vllaznia e femrave mëson kundërshtaret

Futboll

Vllaznia e femrave mëson kundërshtaret

Më: 18 gusht 2022 Në ora: 20:35
Vllaznia

Skuadra e Vllaznisë në futboll për femra ka njohur sot emrin e skuadrës kundërshtare që ka si pengesë të fundit për play-off të Ligës së Kampioneve.

Shkodranet kanë qenë me fat në short teksa kanë kaluar direkt në finalen e minigrupit të tyre, ku tashmë do të ndeshen me kampionen e Sllovakisë, Mijava.

Kjo e fundit ka bërë surprizën sot teksa është kualifikuar me përmbysje në fushën e Breznicës së Malit të Zi, e cila është organizatore e minigrupit kualifikues në të cilin bën pjesë edhe skuadra shkodrane. Breznica ishte në avantazh të dyfishtë pas 20 minutash lojë dhe dukej se po shkonte e qetë drejt kualifikimit. Por Mijava shkurtoi diferencën në pjesën e parë dhe në të dytën realizoi përmbysjen e madhe me gola në minutat 78 dhe 86.

Kështu, të dielën skuadra sllovake do të ndeshet me Vllazninë dhe fituesja e këtij çifti do të shkojë në play-off të Ligës së Kampioneve, një hap larg fazës në grupe që do të ishte një arritje historike për futbollin e femrave në Shqipëri, por edhe një përfitim i jashtëzakonshëm financiar për klubin kuqeblu.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat