Prishtina paralajmëron ankesë në shkallën e dytë

Futboll

Prishtina paralajmëron ankesë në shkallën e dytë

Më: 14 shkurt 2023 Në ora: 18:58
Prishtina

Komisioni i Garave i Federatës së Futbollit të Kosovës (FFK) bëri të ditur këtë të martë se ka refuzuar ankesën e FC Prishtinës lidhur me ndeshjen e javës së 19-të në Superligë, kundër Dukagjinit.

Dukagjini e fitoi këtë ndeshje me rezultatin 1:0, me një gol që ishte mjaft diskutabil.

Gjyqtari kryesor i ndeshjes, Mentor Ajeti, e kishte ndalë lojën te goditja nga këndi për Dukagjinin, por pasi e bëri këtë, vendasit kaluan në epërsi nga devijimi që i bëri Mërgim Pefqeli.

Pas rishikimit me VAR, Ajeti e pranoi golin e klinasve si të rregullt. Ai së fundmi e pranoi se ka gabuar me këtë vendim.

Pas ndeshjes, FC Prishtina deponoi një ankesë lidhur me këtë ndeshje, teksa kërkoi për përsëritjen e saj.

Megjithatë, kjo ankesë e klubit kryeqytetas është refuzuar si e pabazuar, teksa rezultati mbetet ai i regjistruar në fushë.

Pas refuzimit të ankesës, zyrtari i klubit të Prishtinës, Kushtrim Sopa, përmes një postimi në “Facebook”, ka bërë të ditur se klubi do të ankohet tani në shkallën e dytë, pastaj edhe në UEFA, FIFA dhe CAS.

"Me qëllim të respektimit të rregullores së garave dhe afatit të ankimimit, unë Kushtrim Sopa (Team Manager i FC Prishtina ose Përfaqësuesi Zyrtar i Klubit) deri më sot nuk kisha reaguar në rrjetet sociale për rastin e golit “fantazmë” në ndeshjen e Javës së 19-të të AlbiMall Superliga e Kosovës 2022/2023 ndërmjet KF Dukagjini dhe FC Prishtina (min 40’).

Unë gjithmonë duke besuar në shpirtin sportiv të garës e kam konsideruar si gabim njerëzor të Gjyqtarit Kryesor Mentor Ajeti si dhe tërë referëve të deleguar në këtë ndeshje, mirëpo gjithmonë kam besuar që ka njerëz kompetitiv që i njohin rregullat bazë (esenciale) të lojës, kam menduar se për faktin që është bërë një shkelje flagrante e këtyre rregullave si dhe rezultati përfundimtar erdhi me golin e këtij rasti sigurisht të kontestuar me të drejtë dhe të pranuar sportivisht si gabim njerëzor edhe nga vet Gjyqtari perspektiv (kryesor) Mentor Ajeti, drejtësia do të vinte në vend dhe do të vendosej që ndeshja të përsëritej për shkak të shkeljes së rregullave esenciale të lojës, rast ky që nuk do të ishte i pari në histori të futbollit ngase edhe më heret ishte përsëritur një ndeshje në futbollin tonë (Fushë Kosova – Vjosa) për këtë arsye dhe nuk do të ishte fundi i botës që respektohej rregullorja në përpikmëri dhe FFK si institucion do ta rriste kredibilitetin e vet tek sportdashësit në vend.

Fatkeqësisht Komisioni i Garave pranë FFK-së e quan ankesën e klubit FC Prishtina të pabazuar shih: Shkelje e Rregullave Esenciale të Lojës si dhe Rregulli i 9-të i IFAB – Neni 1 – Pika 2, thotë deçizivisht që “Topi konsiderohet jashtë loje në momentin që gjyqtari ndërpret lojën (në rastin tonë kishte sinjalizuar me pip dhe kishte dhënë shenjë me dorë për faull në favor të Prishtinës).

Sigurisht se klubi jonë nuk do të ndalet me kaq, ne do të respektojmë rregullat e ankimimit, do të vazhdojmë me ankesë në shkallën e dytë, pastaj edhe në UEFA, FIFA dhe CAS.

Faleminderit për mirëkuptim", reagon Kushtrim Sopa, Team Manager – FC Prishtina).

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat