Një rikthim qetëson trajnerin Tetova

Futboll

Një rikthim qetëson trajnerin Tetova

Më: 19 prill 2023 Në ora: 13:23
Egnatia

Mesfushori Donald Mëllugja në ndeshjen e fundit që Egnatia humbi në Elbasan ndaj Tiranës 1-2 u ndëshkua me karton të verdhë dhe për rrjedhojë do të mungojë në ndeshjen e kësaj jave ndaj Laçit për shkak se ka plotësuar numrin e katër kartonëve të verdhë.

Tri ndëshkimet e mëparshme kanë qenë për Mëllugjën në javën e 9-të në Kukës, në javën e 11-të ndaj Tiranës dhe në javën e 25-të në humbjen ndaj Erzenit 1-2 në Durrës. Mungesa e tij padyshim që përbën një faturë për trajnerin Tetova, pasi ish-lojtari i Partizanit ka treguar se është një nga më të mirët në rolin e shkatërruesit.

Ai ka rezultuar një element kyç për skemat e trajnerit Tetova në javët e fundit, kur Egnatia po luan fort për të mbajtur vendin e tretë, që i çon direkt në Ligën e Konferencës. Mëllugja është aktivizuar gjithsej në 23 ndeshje nga 29 të luajtura deri më tani dhe ka një total prej 1184 minutash në fushën e lojës.

Këto shifra tregojnë për një mungesë të rëndësishme.

AGBEKPORNU – Megjithatë, Tetova e ka një ngushëllim, pasi në këtë sfidë do të kthehet mesfushori Agbekpornu, i cili mbeti i dëmtuar në përballjen me Partizanin, pas një dueli me Mbanë.

Ganezi është një zëvendësues kokë më kokë për Mëllugjën, çka do të thotë se Tetova e ka gati zgjidhjen.

Agbekpornu luan sezonin e dytë radhazi në radhët e skuadrës së Egnatias, teksa njihet si një lojtar që, përveç forcës, është një mesfushor, i cili mund të luajë shumë mirë edhe rolin e “regjisorit”. Ky sezon ka qenë me luhatje për të për shkak të vonesës në fillim të sezonit për shkak dokumentesh, teksa ai numëron 21 paraqitje në total, me 13 ndeshje si titullar dhe 1383 minuta në total.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat