Gabriel Jesus: Jemi skuadra më e re e Premier League

Futboll

Gabriel Jesus: Jemi skuadra më e re e Premier League

Më: 23 prill 2023 Në ora: 12:38
Gabriel Jesus:

Arsenal “hodhi” një tjetër “hap fals” në rrugën drejt titullit kampion të Premier League.

Topçinjtë barazuan 3-3 në shtëpi ndaj Southampton, një ndeshje të cilën rrezikuan ta humbisnin dhe që e barazuan vetëm në fundin e 90-minutave.

Tashmë, diferenca me Manchester Cityn ndjekës është katër pikë, por me The Citizens që kanë dy ndeshje për të rikuperuar dhe kujtojmë se një prej tyre është përballja direkte në Etihat Stadium me të besuarit e Mikel Artetës.

Pas takimit me Southampton, zhgënjimi ishte i madh në radhët e The Gunners teksa Gabriel Jesus theksoi se një minus për Arsenalin është edhe mungesa e eksperiencës. Braziliani u shpreh se ata janë skuadra me moshën mesatare më të vogël në Premier League dhe diçka e tillë ndikon më pas në fushë, sidomos tashmë që bëhet fjalë për fundin e sezonit.

“E di se njerëzit duan të flasin dhe nisin të përmendin faktin që skuadra ndjen presionin e fundit të sezonit. Mendoj se nuk është kjo pjesa thelbësore pse kemi gabuar së fundmi.

Edhe pse qëndron si hipotezë sepse jemi skuadra më e re në Premier League, nuk dua ta përdor si justifikim, por nuk ka arsye pse të mos e përmend.

Ne nuk kemi eksperiencë kampionësh dhe ndodh që të gabojmë, jo gjithmonë plani shkon sipas parashikimeve. Të gjithë mund të gabojmë në fushë dhe kjo është një arsye më shumë pse duhet të qëndrojmë të bashkuar.

Është koha për të rikuperuar energjitë si nga ana psikologjike ashtu edhe nga ana fizike dhe të luftojmë deri në fund për titullin”, u shpreh Jesus.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat