Ekipet e Milanos kundër atyre kryeqytetase

Futboll

Ekipet e Milanos kundër atyre kryeqytetase

Më: 6 maj 2023 Në ora: 11:50
Orari i ndeshjeve

Ditën e sotme do të luhen tre ndeshje të Serie A, ku sigurisht të gjithë vëmendjen e marrin vetëm dy, Milan-Lazio dhe Roma-Inter.

Milan do të përballet në “San Siro” në orën 15:00 kundër Lazios, një ndeshje jashtëzakonisht e bukur dhe sigurisht do të jetë e luftuar deri në fërshëllimën e fundit, kjo pasi të dyja skuadrat kërkojnë të përfundojnë sezonin në një vend në top katërshen e tabelës, për të siguruar një vend në Champions League për sezonin e ardhshëm. Kuqezijntë e Piolit ndodhen aktualisht në vendin e gjashtë me 58 pikë, ndërsa Lazio në vendin e dytë me 64 pikë.

Perla tjetër e ditës së sotme do të luhet në orën 18:00, aty ku Roma do të presë në “Olimpico” zikaltërit e Interit.  Ashtu si ajo e para, edhe kjo përballje do të jetë jashtëzakonisht e bukur dhe me shumë emocione, ku gjithashtu kjo sfidë luhet për të njëjtin qëllim, zonën Champions. Inter ndodhet në vendin e katërt aktualisht me 60 pikë, ndërsa Roma e Mourinhos në vendin e shtatë me 58 pikë, po aq sa Milani.

Sfida tjetër që do të përfundojë sot ditën do të jetë Cremonese-Spezia e cila do të luhet në mbrëmje në orën 20:45.

Të dyja skuadrat ndodhen në fundin e tabelës, dhe në këto situata në prag të përfundimit të sezonit, të dyja do të luftojnë shumë për dy qëllime të ndryshme. Spezia për t’u larguar sa më shumë nga zona e kuqe, ndërsa Cremonese për të tentuar deri në ditën e fundit të kampionatit daljen nga ajo zonë.

Spezia ndodhet aktualisht në vendin e 17-të me 27 pikë, po aq sa Verona e vendit të 18-të e cila është në zonën e rrezikut, ndërsa Cremonese në vendin e parafundit, atë të 19-të me 21 pikë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat