“Martesa” e Luka Modric me Real Madrid duket se do të vijojë edhe për një tjetër vit.
Kroati dhe klubi spanjoll kanë gjetur gjuhën e përbashkët sa i takon rinovimit të kontratës dhe shumë shpejt pritet të vijë zyrtarizimi.
37-vjeçari është një nga lojtarët më të vlerësuar në radhët e Los Blancos, me “veteranin” që sezonin e ardhshëm do të ngarkohet me detyrën për të mbikqyrur dhe për të këshilluar të rinjtë në organikën e trajnerit Carlo Ancelotti.
Pritet që stafetën e Modric në Madrid ta “trashëgojë” Jude Bellingham, por në vitin e parë me fanellën e Realit, britaniku do të jetë nën vëzhgimin e kroatit.
Ndërkohë, me këtë rinovim, Modric hedh poshtë edhe të gjithë zërat të cilët së fundmi këmbëngulnin se mesfushori do t’i bashkohej Cristiano Ronaldos në Arabinë Saudite tek Al-Nassr.
Aktualisht, Modric numëron 480 paraqitje me Realin e Madridit ndërsa ka shënuar 37 gola dhe 77 asiste për Los Blancos, duke i ndihmuar spanjollet në një prej epokave të tyre më të lavdishme. Modric u bashkua me Real Madrid në vitin 2012 nga Tottenham për shumën e 33 milionë paundëve teksa në vitin 2018 me fanellën e Los Blancos fitoi edhe Topin e Artë.