U ndërpre pas 9 minutash, Ajax fiton dhe rikthehet në vendin e tretë

Futboll

U ndërpre pas 9 minutash, Ajax fiton dhe rikthehet në vendin e tretë

Më: 16 maj 2023 Në ora: 19:34
Foto ilustruese nga ndeshja

Ajax Amsterdam fiton në transfertën e Groningen me rezultatin 3-2 dhe rimerr vendin e 3-të në Eredivise.

Sfida e javës së 32-të ishte projektuar për t’u zhvilluar në ditën e dielë në orën 14:30, por në atë ditë u luajtën gjithsej vetëm 9 minuta, për shkak se ultrasit e Groningen hodhën mjetet piroteknike në fushën e lojës, duke shprehur revoltën për rënien nga kategoria.

“Harkëtarëve” iu duhej domosdoshmërisht fitorja në stadiumin ”Euroborg” dhe skuadra e Heitingës e arriti objektivin, por me shumë vuajtje.

Sfida nisi menjëherë në minutën e 9′, aty ku u la të dielën dhe Ajax e gjeti rrugën e rrjetës në të 18′, falë ekzekutimit të saktë të Tadic nga pika e bardhë e penalltisë.

Ajax shpërdoroi një mori rastesh të mira për të thelluar diferencat dhe u ndëshkuan në minutën e 38′, kur Kruger goditi bukur në hyrje të zonjës dhe mposhti portierin Rulli.

Kryeqytetasit e nisën me një tjetër impuls pjesën e dytë dhe shpejt morën situatën nën kontroll. Brian Brobbey shfrytëzoi asistin e Muhamed Kudus në të 68′ dhe fare pranë portës u tregua maksimalisht efikas.

Në të 81′, Jurrien Timber shënoi dhe të tretin për Ajax teksa finalizoi bukur me kokë pas asistimit të Tadic.

Duarte ngushtoi diferencat në 2-3 në minutën e 87′, pas një goditje brilante nga jashtë zonës, por goli i mesfushorit vlejti sa për statistikë pasi Ajax ruajti pa probleme epërsinë deri në fund.

Tri pikët e marra në ”Euroborg” e ngjisin Ajax edhe njëherë tjetër në vendin e 3-të, pozicion që përkon me kualifikimin në Europa League, ndërkohë që Groningeni tashmë i rrëzuar në një ligë më poshtë duhet ta largojë sa më shpejt nga memoria këtë sezon të errët dhe të përpiqet që të rikthehen menjëherë në Eredivise.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat