Bruno Fernandes e ka paralajmëruar skuadrën

Futboll

Bruno Fernandes e ka paralajmëruar skuadrën

Më: 2 qershor 2023 Në ora: 18:27
Bruno Fernandes

Bruno Fernandes e ka paralajmëruar skuadrën e Mançester Junajtidit se ajo duhet të jetë gati për t’i dhënë fund shpresave të Mançester Sitit për të fituar tripletën këtë të shtunë.

Derbi i Mançesterit do të luhet për herë të parë në një finale të kompeticionit më të vjetër futbollistik në botë, ndërsa prioriteti i “djajve” do të jetë që të sigurojnë trofeun e dytë për klubin, pas suksesit në Kupën e Ligës më herët gjatë sezonit. Por një sukses nesër në “Wembley” do t’i jepte fund edhe ëndrrës së Sitit për të fituar tripletën dhe barazuar rekordin historik që Junajtidi vendosi në vitin 1999, kur fitoi Premier Ligën, Ligën e Kampioneve dhe Kupën FA nën drejtimin e Sër Aleks Fergusonit.

Mesfushori portugez, i cili ka qenë kapiteni i skuadrës së Ten Hagut për pjesën më të madhe këtë sezon, ka folur në programin e ndeshjes për synimin e Junajtidit në këtë finale: “Ne mezi po e presim atë. Çdo shans për të luajtur në një finale për Mançester Junajtidin është special, kështu që ne duhet të jemi gati. Ne e dimë që tifozët do të jenë atje për të na mbështetur dhe ne duam të bëjmë gjithçka që mundemi për t’i bërë të lumtur.

Do të thotë shumë nëse e fitojmë. Në këtë klub ne duhet të arrijmë gjithnjë në finale dhe përpiqemi të fitojmë trofe. Ky është minimumi për një klub si ky dhe për ne si lojtarë. Të gjithë e dinë se sa i rëndësishëm është trofeu i Kupës FA në këtë vend dhe në futboll”, tha Fernandesh, i cili thotë se Junajtidi duhet të jetë edhe më i motivuar për shkak se përballë ka ekipin rival të qytetit:

“Do të jetë një ditë speciale dhe të luash kundër Mançester Sitit është gjithnjë një ndeshje e madhe. Ne e dimë rivalitetin, e dimë se çfarë do të thotë për ne dhe për tifozët tanë.

Duam të fitojmë çdo ndeshje që luajmë për këtë klub, sepse kjo është ajo që ai meriton.

Është një finale dhe ne duam ta sjellim trofeun në shtëpi.

Kemi bërë progres të mirë këtë sezon dhe jemi përmirësuar shumë së bashku, por në të njëjtën kohë e dimë se është ende një rrugë e gjatë përpara se të arrijmë në nivelin që duam të arrijmë. Kemi luajtur shumë ndeshje dhe kemi pasur momente të shkëlqyera, por nuk duhet të kënaqemi kurrë derisa të fitojmë trofe në vazhdimësi”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat