Sulmuesi i Bayern Munichut, Harry Kane, është operuar me sukses në kyçin e majtë të këmbës, pas lëndimit të rëndë që pësoi në ndeshjen ndaj Kolnit.
Kapiteni i Anglisë u detyrua të largohej nga fusha pas vetëm 20 minutash lojë në barazimin 1-1 ndaj Kolnit, ndërsa ekzaminimet mjekësore konfirmuan këputjen e një ligamenti në kyçin e këmbës.
Klubi bavarez konfirmoi se ndërhyrja kirurgjikale ka kaluar me sukses dhe se 33-vjeçari tashmë do të nisë fazën e rehabilitimit.
Sipas vlerësimeve fillestare, Kane pritet të mungojë për tre deri në katër muaj, çka përbën një goditje të madhe për Bayernin në pjesën e mbetur të sezonit.
Megjithatë, sulmuesi anglez nuk e ka humbur optimizmin. Përmes një postimi, ku publikoi edhe një fotografi nga spitali, ai u zotua se do të punojë për t’u rikthyer sa më i fortë.
“Jam natyrisht shumë i zhgënjyer për këtë lëndim, por, si gjithmonë, kjo është një mundësi për të treguar qëndrueshmëri dhe për t’u përmirësuar drejt vitit 2027. Do të rikthehem i freskët dhe i gatshëm për pjesën vendimtare të sezonit”, shkroi Kane.
Mungesa e Kane është një shqetësim i madh për trajnerin Vincent Kompany, pasi Bayerni po përballet edhe me mungesa të tjera të rëndësishme në skuadër.
Në anën tjetër, gjendjen e sulmuesit do ta përcjellë nga afër edhe përzgjedhësi i Anglisë, Thomas Tuchel, pasi kombëtarja angleze në fund të marsit përballet me Norvegjinë në çerekfinale të Ligës së Kombeve.
Kane, i cili iu bashkua Bayernit në vitin 2023, ka pasur probleme me lëndimet në kyçet e këmbëve edhe më herët, por deri më tani kishte arritur t'i shmangte mungesat e gjata në klubin gjerman.