Cikalleshi dhe Uzuni gati për Kombëtaren

Futboll

Cikalleshi dhe Uzuni gati për Kombëtaren

Më: 2 qershor 2023 Në ora: 23:49
Shqipëria

Nga Spanja në Arabinë Saudite. Sezoni për dy sulmuesit e Kombëtares në rang klubesh ka përfunduar.

Edhe pse me objektiva dhe kampionate të ndryshme, Myrto Uzuni dhe Sokol Cikalleshi ia kanë dalë të realizojnë atë për të cilin kanë luftuar gjatë sezonit, ngjitjen në La Liga me Granadën dhe qëndrimin mes më të mirave në Arabi për Cikalleshin.

Tashmë sulmuesit po përgatiten për angazhimin në ekipin kombëtar, ku këtë muaj përpara kanë dy takime të rëndësishme për kualifikimin në Europianin e Gjermanisë, atë kundër Moldavisë më 17 qershor dhe tri ditë më vonë në Ishujt Faroe.

Frymëmarrje e thellë për Sokol Cikalleshin! Al-Khalej, skuadra e sulmuesit kavajas, triumfoi me rezultatin, 3-1 në ndeshjen e fundit të kampionatit ndaj Abha dhe falë disfatës së Al-Adalh në shtëpi ndaj Al-Etifaq, arriti të mbijetonte. Një sezon pozitiv mund të cilësohet ky i kavajasit, i cili arriti të realizonte 11 gola në 28 ndeshje.

Gjithashtu bomberi shqiptar regjistroi edhe 3 asiste. Vlen të theksohet fakti se Cikalleshi luajti si i huazuar këtë sezon tek Al-Khalej, teksa me shumë gjasa do të rikthehet te klubi i Koniasporit, që ka në pronësi kartonin e 32-vjeçarit. Dje, sulmuesi kuqezi ka reaguar me një postim në rrjetet sociale, ku shkruan: Mbaroi një sezon plot me sakrifica, por me një fund të lumtur. Faleminderit! Al-Khalej!”, shkruan Cikalleshi në postimin e tij, teksa e shoqëron edhe me një foto bashkë me vajzën e tij.

Myrto Uzuni ishte pa dyshim njeriu që bëri të mundur ngjitjen e Granadas në La Liga për sezonin e ardhshëm. Uzuni arriti të shënonte plot 23 gola, duke fituar kështu edhe “Këpucën e Artë” në La Liga. 27-vjeçari ka reaguar pas këtij triumfi, nëpërmjet një postimi në “Instagram” ai falënderon të gjithë njerëzit që i kanë qëndruar pranë, përfshirë këtu edhe familjen e tij. “Ka qenë një vit i vështirë, por në fund e mbyllëm në mënyrën më të mirë, si kampionë.

I emocionuar që jam pjesë e këtij suksesi të madh si golashënuesi më i mirë i Granadës, si dhe për ngjitjen me Granadën në La Liga. Doja të falënderoja të gjithë që më ndoqën dhe më mbështetën në çdo hap të këtij viti, sidomos familja ime dhe të gjithë ata që besuan tek unë për të përfunduar këtë sezon magjik 2022/2023. Ju faleminderit të gjithëve!”, ka shkruar Uzuni në “Instagram”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat