Llapi mbetet pjesë e Sigal Superligës, fiton ndaj Vizionit 

Futboll

Llapi mbetet pjesë e Sigal Superligës, fiton ndaj Vizionit 

Më: 6 qershor 2023 Në ora: 20:04
Llapi

Skuadra e Llapit edhe në edicionin e ardhshëm do të garojë në Sigal Superligë në konkurrencën e vajzave. Llapjanet, të martën, në Kampin Nacional në Hajvali, shënuan fitore ndaj Vizionit, me rezultat 3:2, në ndeshjen e barazhit.

Llapi e mbylli edicionin në Sigal Superligë në pozitën e 7-të dhe si rrjedhojë u detyrua të luajë në barazh me Vizionin, skuadër kjo që doli e dyta në Ligën e Parë.

Loja ishte mjaft interesante dhe e baraspeshuar, e ku diferencën e bëri futbollistja llapjane, Aurora Mulliqi, e cila shënoi “Hat-Trick”. Llapi krijoi epërsi prej 2:0 me golat e Aurorës në minutat 20′ dhe 32′, por ferizajaset nuk u dorëzuan dhe arritën që të shkojnë në pushim ndërmjet dy pjesëlojëve me shifrat e barabarta, 2:2, me golat e shënuara nga Loela Ahmeti (38′) dhe Anisa Meha (45′).

Lojë interesante u zhvillua edhe në pjesën e dytë, ku vajzat e të dyja ekipeve shfaqën dëshirë të madhe për fitore. Megjithatë, fatin e ndeshjes e vendosi Aurora Mulliqi, me golin e tretë të shënuar në minutën e 80-të.

Kësisoj, Llapi vazhdon të garojë edhe edicionin e ardhshëm në Superligë, derisa Vizioni mbetet në Ligën e Parë.

E pjesë e Superligës është bërë edhe Presingu si kampion i Ligës së Parë, teksa statusin e skuadrës elitare e ka humbur Jakova.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat