Vllaznia gjen pasuesin e Liridon Latifit

Futboll

Vllaznia gjen pasuesin e Liridon Latifit

Më: 7 qershor 2023 Në ora: 18:48
Darko Dodev

Klubi i Vllaznisë ka nisur menjëherë punën për ndërtimin e skuadrës për sezonin e ri.

Duke parashikuar largime të rëndësishme thuajse në çdo repart, drejtuesit kuqeblu po kërkojnë të përforcohen me emra cilësorë.

Dhe një prej tyre është 25-vjeçari Darko Dodev.

Sulmuesi i krahut nga Maqedonia e Veriut mësohet se ka gjetur akordin me klubin kuqeblu dhe pritet të zyrtarizohet shumë shpejt. Dodev ka qenë pjesë e Bregalnicës së Shtipit në tri sezonet e fundit në elitën e futbollit maqedonas, teksa ka dhuruar paraqitje shumë të mira me fanellën e këtij ekipi.

Me përfundimin e kontratës, sulmuesi ishte i lirë të zgjidhte një klub tjetër dhe sipas mediave në shtetin fqinj, ka qenë në bisedime edhe me Shkëndijën e Tetovës dhe Shkupin. Te Vllaznia ai pritet të luajë nga minuta e parë në pozicionin e Liridon Latifit, i cili do të largohet, pasi nuk ka arritur marrëveshje me klubin për rinovim.

Dodev pritet të mbërrijë në Shkodër në orët e ardhshme, për të firmosur dhe prezantuar zyrtarisht nga klubi.

Ky është afrimi i dytë i Vllaznisë, pasi më parë ka arritur marrëveshjen edhe me Ildi Grudën, i cili vjen pas katër sezoneve me fanellën e Teutës.

Ndërkohë, drejtuesit po punojnë për të forcuar edhe repartin e mbrojtjes, atje ku së fundmi ka dalë në skenë edhe emri i mbrojtësit serb, Millosh Stojanoviç, i cili ka qenë pjesë e Kastriotit në sezonin e fundit.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat