Reali u bashkohet superskuadrave që e kërkojnë për t’i besuar pankinën

Futboll

Reali u bashkohet superskuadrave që e kërkojnë për t’i besuar pankinën

Më: 17 shtator 2023 Në ora: 15:19
Alonso

Çabi Alonsos i ka mjaftuar më pak se një vit në drejtimin e Bajer Leverkusen për të bindur të gjithë skeptikët se ishte gati për futbollin e rëndësishëm.

Fakti se ekipi i tij arrin rezultate duke luajtur mirë, ka bërë që spanjolli të bëhet tashmë një emër i kërkuar edhe nga superskuadrat në kontinent.

Në fakt, janë të tre ish-skuadrat e tij që tashmë janë gati t’i besojnë atij pankinën në të ardhmen. Duke filluar nga Bajern Mynih, i cili pa nga afër këtë të premte se si Çabi Alonso arriti t’i merrte një barazim në “Allianz Arena” duke mos i lënë të shkëputeshin në renditje. Liverpuli prej kohësh po kërkon një pasardhës për Jurgen Klop nëse ky i fundit vendos të largohet dhe tanimë emri i ish-mesfushorit është ai që tërheq më shumë “të kuqtë”.

Tani në skenë ka dalë dhe Real Madrid. “Mundo Deportivo” ka bërë të ditur se spanjollët kanë nisur kontaktet e para për të mësuar për gatishmërinë e Çabi Alonsos që të kthehet në Spanjë, pasi në verën e ardhshme pankina do të mbetet bosh për shkak se Karlo Ançeloti do të largohet për të marrë drejtimin e Brazilit.

Një tris pretendentësh luksi, me trajnerin që tashmë duhet të zgjedhë se në cilin kampionat dëshiron të vazhdojë karrierën e tij, pasi e ardhmja në nivelet më të larta duket e sigurt cilido qoftë vendimi i tij.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat