Mëse 7 muaj pritje për një ndeshje

Futboll

Mëse 7 muaj pritje për një ndeshje

Më: 21 nëntor 2023 Në ora: 20:28
Pamje nga një ndeshje

Shpresat e Shqipërisë do të duhet të presin deri më 7 qershor për ta mbyllur ndeshjen me Malin e Zi, që nisi të martën pasdite, por nuk arriti të mbyllej dot.

Kjo sepse reshjet e shumta të shiut që ranë në Malin e Zi, kanë bërë që të ndërpritet ndeshja midis përfaqësueses vendase të Nën-21-vjeçarëve dhe atyre kuqezi. 

Fusha e blertë u mbulua nga uji e stadiumit në Pogdoricë dhe kur nuk kishte kaluar as një gjysmë ore lojë, pikërisht në minutën e 27-të, zyrtarët e ndeshjes kanë vendosur që ta ndërpresin takimin, që, deri në ato momente ishte mbërthyer në shifrat 0-0.

Sapo u mbyll minuta e 27-të, gjyqtari kryesor, Xhonatan Lardot, i dërgoi të dy ekipet në dhomat e zhveshjes, për shkak të reshjeve të shumta të shiut dhe terrenit të rënduar. Pas konsultimit me delegatin e ndeshjes dhe me përfaqësuesit e të dy ekipeve, gjyqtari vendosi që ta ndërpresë përfundimisht ndeshjen, edhe pse ishte shpresuar që ajo të mund të përmbyllej po të martën. Më vonë është mësuar edhe vendimi se kur do të rifillojë dhe data kur do të luhen minutat e mbetura të ndeshjes, e cila deri në momentin e ndërprerjes ndodhej në shifrat 0-0.

Burimet zyrtare në FSHF kanë konfirmuar për RTSH Sport se ndeshja do të vazhdojë të luhet më 7 qershor, pas më tepër se 7 muajsh e gjysmë, pikërisht aty ku u ndërpre, duke nisur nga minuta e 27-të. Shqipëria mban vendin e 3-të të renditjes, me 9 pikë të marra në 5 ndeshje, 3 më tepër sesa Finlanda e vendit të 4-t, që ka luajtur sidoqoftë një ndeshje më pak.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat