Trajneri i Sasuolos, Alesio Dionisi, në prag të duelit ndaj Romës, foli edhe për mesfushorin shqiptar Nedim Bajrami, i cili duket se e ka humbur disi shkëlqimin në ndeshjet e fundit me skuadrën italiane.
“Ai është mirë. Para pushimit të fundit, Nedimi nuk ishte mirë në stërvitje, kishte disa probleme të vogla dhe nuk po stërvitej me 110 %. Unë e njoh mirë Bajramin, ai është djalë që u përpoqa ta merrja këtu sepse besoj te cilësitë e tij.
Në mesfushën tonë ai është me më shumë tranzicione dhe gjuajtje. Në disa momente të ndeshjes është vendimtar dhe do të doja ta shfrytëzoja. Jo vetëm për cilësitë e tij mbrojtëse. Por zgjedhjet varen edhe nga ndeshjet.
Kur u fut me Empolin më pëlqeu shumë dhe do të doja gjithmonë që Nedimi të ishte kështu.
Ne kemi 3-4 lojtarë të talentuar në skuadër, dhe ai është një nga ata. Ai është djalë introvert, po punojmë për këtë dhe nëse zhbllokohet do të bëjë shumë më mirë”, u shpreh trajneri Dionisi.