Tirana nuk komandohet, Partizani pa finalizim

Futboll

Tirana nuk komandohet, Partizani pa finalizim

Më: 12 dhjetor 2023 Në ora: 11:58
Shkëlqim Muça

“Tirana jashtë kontrollit, nuk komandohet më. Partizani me ritëm, por nuk ka finalizim. Skënderbeu surprizues.

Dinamo aktuale, në një nga katër vendet e fundit. Vllaznia ka nisur të lëvizë”. Edhe njëherë në analizën e përjavshme në studion e emisionit “Rubrika Sportive” në RTSH, Shkëlqim Muça ka analizuar javën e 16-të të Superiores.

Finalizimi, problem i të kuqve - “Partizanin nuk e shikoj në gjendje të keqe. Ka ritëm, lojtarët i shikoj të karikuar. Sigurisht që ka oshilacione, nga pjesa e parë në të dytën. Them se akoma nuk është pjekur, se ka lojtarë që akoma nuk janë pjekur në tërsinë e tyre. Nuk shikoj lojtarë që mund të themi se janën nën mesatare.

Problem mbetet finalizimi, nuk ka fantazi, nuk ka improvizim. Trajneri i Skënderbeut e komandon skuadrën, duket që është e organizuar, u mer maksimumin lojtarëve. Në këtë moment të kampionatit nuk e mendoja se korçarët do kishin këto pikë”.

Barazimi, rezultati më i drejtë – “Prisja që të fitonte Teuta, duke u nisur dhe nga forma e treguar në ndeshjet e fundit, ka patur një llojë ndryshimi. Pjesën e parë e nisi shumë mirë, krijoi presion. Shënoi golin, kishte mundësi të dyfishonte. Në pjesën e dytë Egnatia ndryshoi, qarkulloi më shumë dhe e vuri në vështirësi skuadrën durrsake. Në fillim skuadra rrogozhinase mu duk e paimpenjuar, dukej se gjithçka po shkonte në favor të durrsakëve. Ashtu si shkoi loja, barazimi ishte rezultati më i drejtë”.

Tirana, me oshilacione - “Tirana ka treguar se është një ekip me oshilacione. Edhe në derbi bëri mirë në pjesën e parë dhe gaboi në të dytën. Kështu ndodhi dhe në ndeshjen me Laçin. Nuk është një gjendje e mirë, mund të ketë rezultate të tilla edhe në javët në vazhdim. Me ata lojtarë që ka, kur është 2-0 në pjesën e parë, në pjesën e dytë duhet të të mbysë. Kjo skuadër i ka ikur nga duart klubit, nuk komandohet më. Nuk janë të gjithë bashkë, nuk është më ajo frymë”.

Vllaznia ka nisur të lëvizë – “Trajneri tani po fillon të njohë skuadrën. Një trajner i mirë do kohën e vet, tani e në vazhdim mund të themi se është skuadra e tij. Vllaznia ka filluar të lëvizë, të strukturohet. Mendoj se është një skuadër për katërshen. Dinamo? Me këta lojtarë që ka do jetë në katër ekipet e fundit“.

Barazimi i Erzenit me Kukësin - “Erzeni është një skuadër që e ka mundur Kukësin kohët e fundit. Erzeni ishte më përpara në fazën sulmuese, por mendoj se barazimi ishte rezultati më i drejtë në këtë sfidë”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat