Teuta kërkon kthesën ndaj Dinamos

Futboll

Teuta kërkon kthesën ndaj Dinamos

Më: 20 dhjetor 2023 Në ora: 13:24
Teuta

Sfida e fundit me Erzenin ka “sakatuar” deri në themel djemtë e Edi Martinit.

Lojtarë të rëndësishëm do të mungojnë në duelin ndaj Dinamos. Kotobelli, Iljazi dhe me shumë mundësi edhe Ledio Beqja do të ndjekin këtë takim nga tribuna. Këto mungesa i shtojnë trajnerit shkodran “dhimbjet e kokës”.

Ledio Beqja mungoi ndaj Erzenin për shkak të një dëmtimi në shpatull, ndërsa ndaj Dinamos shpresohet të marrë sërish në dorë “çelsat” e mesfushës së Teutës, gjithmonë nëse ia del të jetë i gatshëm.

Do të ishte një rikthim i rëndësishëm në ndeshjen më delikate të sezonit, e cila premton të jetë e luftuar deri në sekondën e fundit.

Megjithatë, Martini e ka një ngushëllim, pasi në këtë sfidë do të kthehet mesfushori Asion Daja, i cili ishte i pezullar në përballjen me Erzenin, pas kishte katër kartonë të verdhë. Daja është një lojtar që jep siguri në mesfushë bashkë me Karabecin, çka do të thotë se Martini është pak më i qetë.

FITORJA E FUNDIT- Teuta dhe Dinamo do të përballen më 22 dhjetor për të luajtur ndeshjen e vlefshme për javën e 18-të të Superiores. Sfida që do të zhvillohet në stadiumin “Niko Dovana” do të startojë në orën 17:00. Teuta, nuk njeh fitore që prej 22 tetorit të këtij viti, pikërisht në ndeshjen ndaj Dinamos.

Në ndeshjen e fundit të luajtur durrsakët triumfuan me rezultatin 3-2 me përmbysje. Që pas asaj fitoreje, Teuta ka marrë 4 humbje dhe 5 barazime, ku 4 nga këta të fundit i ka radhazi. Tashmë ndaj Dinamos kërkon një tjetër fitore që nuk vjen prej tetë javësh, ndërsa Dinamo vjen nga dy humbje radhazi. Praktikisht, një triumf i mundshëm mund të quhet dhe ‘kthesa’ e madhe për “Djemtë e Detit”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat