Rodri dhe Haaland në dyshim të dielën

Futboll

Rodri dhe Haaland në dyshim të dielën

Më: 6 janar 2024 Në ora: 13:34
Erling Haaland e Pep Guardiola

Rodri dhe Erling Haaland janë në dyshim për ndeshjen e Mançester Sitit në raundin e tretë të Kupës “FA Cup” kundër Hadërsfilldit të dielën. Mesfushori spanjoll mund të humbasë ndeshjen e nesërme pas vdekjes së gjyshes së tij.

“Sot edhe nesër ai nuk do të jetë këtu”, tha Guardiola në konferencën për shtyp, skuadra e të cilit fitoi Kupën FA sezonin e kaluar.

“Shpresojmë se ai do të kthehet për ndeshjen, por nëse duhet të qendrojë, çështjet familjare janë gjëja më e rëndësishme”, shtoi tekniku katalanas.

Kurse Haland nuk ka luajtur që nga 6 dhjetori për shkak të një dëmtimi në këmbë. Mesfushori Kevin de Bryjne dhe sulmuesi anësor, Zheremi Doku, janë rikthyer në stërvitje pas dëmtimeve, por Guardiola nuk është i sigurt nëse ata do të arrijnë të jenë të gatshëm këtë fundjavë apo në ndeshjen e ardhshme të klubit në Premier Ligë, kundër Njukasëllit, më 13 janar.

“Zheremi ndihet shumë mirë dhe Kevin gjithashtu. Kevin ishte jashtë për një kohë të gjatë, prandaj edhe ne duhet të jemi të durueshëm”, sqaroi shefi i kampionëve të botës. “Edhe Erlingu është pak më mirë, është kocka prandaj duhet të jem pak më i kujdesshëm. Ata ndihen mirë dhe po përmirësohen. Nuk e di për të dielën apo Njukasëllin, por për pjesën tjetër ata do të jenë gati”.

De Bruyne nuk luan për Mançester Sitin që nga tërheqja muskulare e muskujve të pasëm të kofshës gjatë ndeshjes hapëse të sezonit të Premier Ligës kundër Bërnlejt më 11 gusht.

Ai u rikthye në stol në fitoren në kampionat kundër Shefilld Junajtidit në ndeshjen e fundit të skuadrës së tij.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat