Me pronësinë e re “Prishtina” ka synime të mëdha

Futboll

Me pronësinë e re “Prishtina” ka synime të mëdha

Më: 13 janar 2024 Në ora: 14:06
Artan Osmani.

Megjithëse nuk e ka nisur në mënyrën më të mirë të mundshme edicionin garues 2023/24, klubi i futbollit “Prishtina”, ka synime të mëdha për këtë vit. FFK po ju shkakton shumë probleme.

Kupa e Kosovës, por edhe së paku vendi i dytë në kampionat, janë synimet kryesore të këtij klubi, të cilat për KosovaPress, i ka zbuluar drejtori gjeneral i klubit, Artan Osmani.

Ai shprehet se ka besim të madh te pronësia e re, e cila është plotësisht e fokusuar në zhvillimin e fuqishëm të klubit.

Osmani: Pronarët e rinj shumë entuziastë për të ardhmen e klubit

“Praktikisht nuk është pronësi e re, janë të njëjtit pronarë, është praktikisht një pronar që ka marrë shumicën e aksioneve, pjesa tjetër janë aksionarë ekzistues. Janë mjaftë entuziastë, duket një grup që është mjaftë i interesuar përfundimisht për t’u fokusuar për ta zhvilluar klubin e qytetit. E kam thënë edhe herëve të tjera, nuk e konsiderojmë ne Prishtinën si pronë private e një personi ose një aksionari ose shumë aksionarëve. Pronarët aktual dhe kryetari aktual, thjeshtë është duke u kujdesur për këtë klub për një periudhë të caktuar, prandaj mendoj që jemi në një atmosferë shumë pozitive dhe të gjithë aksionarët shumë të gatshëm për ta promovuar më tutje.”, tha Osmani.

Sa i përket objektivave të klubit, Osmani u shpreh qartë se “Prishtina”, synon vendin e dytë në kampionat, si dhe trofeun e Kupës së Kosovës.

Osmani: Kupa e Kosovës dhe vendi i dytë në kampionat janë objektivat tona

“Nuk jemi në pozitën në të cilën kemi shpresuar, por nuk jemi prapa objektivave. Ne po e shohim që arritja e vendit të parë do të jetë mjaftë e vështirë për shkak të skuadrës së Ballkanit, e cila ka një numër të madh të futbollistëve me një kualitet shumë të lartë, por përndryshe vendi i dytë mbetet opsion, mbetet objektiv së bashku me kupën.”, theksoi Osmani.

Drejtori gjeneral i “Prishtinës”, foli edhe për vendimin e klubit për ta shkëputur bashkëpunimin me ish-trajnerin, Debatik Curri.

Osmani: Me Currin i ndamë rrugët për shkak se zhvillimi i projektit nuk shkonte siç duhet

“Debatikut ne i dhamë mundësinë edhe pas fitimit të kupës si ish-lojtar i yni dhe si zëvendës-trajner. Ne ia dhamë mundësinë për të punuar dhe për të zhvilluar një ekip i cili ishte relativisht i ri. Pati ngecje në rezultate dhe përveç ngecjeve në rezultate, si kryesi e kemi parë që drejtimi i zhvillimit, shpejtësia e zhvillimit të lojës dhe lojtarëve, nuk ishte ajo që kemi pritur dhe arritëm një marrëveshje të përbashkët me Debatikun që ta ndërpremë bashkëpunimin dhe të vazhdojmë më trajner tjetër.”, bëri të ditur Osmani.

Pasuesi i Currit, Emanuel Egbo, sipas Osmanit, e ka rikthyer “Prishtinën”, në rrugën e duhur dhe rezultatet pozitive.

Osmani: Me Egbon skuadra është rikthyer në rrugën e duhur

“Shihet përmirësim në lojë, vërehet një stabilitet më i madh edhe në mbrojtje, vërehet një organizim më i mirë në sulm, do të thotë ekipi i Prishtinës, aktualisht është në gjendje të dal fitimtar në secilën ndeshje të Superligës dhe e kemi dëshmuar atë. Praktikisht me Llapin dhe 10 lojtarë është dashur ta fitojmë lojë, mos të ishte për referin, me Ballkanin ishte një barazim, një lojë të cilën mund ta përfundonim në pjesë të parë, Dritën e fituam kështu që mendoj se është mirë”, deklaroi Osmani.

Klubi bardh e kaltër vazhdon të jetë në telashe serioze sa i përket zhvillimit të ndeshjeve në stadiumin “Fadil Vokrri”, kjo për shkak se ky stadium është mbyllur me vendim të Federatës së Futbollit të Kosovës pasi duhet të bëhet rinovimi i fushës. Për këtë problematikë, Osmani ka fajësuar pikërisht FFK-në.

Osmani: FFK po na shkakton shumë probleme me stadiumin “Fadil Vokrri”

“Problemin na e ka shkaktuar federata për shkak të mos mirëmbajtjes së stadiumit dhe mos mirëmbajtja, puna jo profesionale e ka sjellë në situatë fushën që tash nuk po mundet të luajë askush. Është shumë alarmante, veçanërisht në raport me klubin e Prishtinës sepse ne duhet t’i zhvillojmë pjesën e dytë të sezonit duhet të zhvillojmë në stadium e jo të presim deri në qershor. Nuk kam parë se është duke u punuar diçka në fushë, asnjë veprim nuk është duke u bërë, asnjë punë nuk është duke u kryer...Megjithatë, do të jetë obligative të organizohen takimet me kryetarin e komunës edhe me ministrin e sportit për të parë hapat se si do të vazhdojmë më tutje ne si klub.”, tha më tutje Osmani.

Drejtori i Prishtinës gjithashtu bëri të ditur se me trajneri Emanuel Ego, klubi ka kontratë dy vjeçare dhe varësisht nga objektivat që do të arrihen, ajo edhe mund të vazhdohet më tutje.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat