Erzeni dhe Doka, në “darën” e Disiplinës

Futboll

Erzeni dhe Doka, në “darën” e Disiplinës

Më: 23 janar 2024 Në ora: 18:26
Foto ilustrim

Komisioni i Disiplinës në Federatën Shqiptare të Futbollit është treguar i ashpër me të gjithë, sidomos në Abissnet Superiore, atje ku më rëndë e ka pësuar Albi Doka i Tiranës, i cili është pezulluar 3 javë për sjellje jo sportive ndaj zyrtarëve të ndeshjeve.

Gjithçka i referohet ndeshjes me Teutën në të cilën bardheblutë barazuan 2-2. Ndërkohë Vllaznia është gjobitur me 100.000 lekë të rinj për hedhje të sendeve në fushën e lojës gjatë ndeshjes me Kukësin, të cilën një javë më parë e ka fituar 1-0.

Po kështu janë gjobitur verilindorët me 50.000 lekë të rinj për sjellje jo të mirë të spektatorëve gjatë ndeshjes me Egnatian, që e humbën 1-4, ndërsa kanë hedhur sende në fushë. Dënim të rëndë ka marrë klubi i futbollit të Erzenit, që për hedhje të sendeve dhe dhunë ndaj zyrtarëve të ekipit kundërshtar është pezulluar për 4 ndeshje pa spektatorë, si dhe është gjobitur me 200.000 lekë të rinj.

Me gjobë 100.000 lekë të rinj është ndëshkuar dhe Elbasani për sjellje të gabuar të spektatorëve, fyerje të tifozerisë kundërshtare dhe hedhje të sendeve në fushë. Ajo që bie në sy është përjashtimi i Vllaznisë nga Kupa e Shqipërisë në futbollin e femrave, që ka braktisur fushën e lojës me Gramshin.

0-3 humbje në tavolinë për kuqeblutë, gjobë 100.000 lekë dhe mosluajtje sezonin e ardhshëm në Kupën e Shqipërisë për skuadrën fituese në fuqi. Masa ka patur dhe për moshat, ndërsa Disiplina vijon të dënojë pa fund në të gjitha nivelet e futbollit shqiptar.  

Vendimet:

KF Vllaznia, për sjellje të gabuar të spektatorëve, duke hedhur sende në fushën e lojës në ndeshjen kundër FK Kukësi, në bazë të nenit 17/2/b të KDE, dënohet me gjobë në masën 100.000 (njëqind mijë) lekë.

FK Kukësi, për sjellje të gabuar të spektatorëve, duke hedhur sende në fushën e lojës, në bazë të nenit 17/2/b të KDE, dënohet me gjobë në masën 50.000 (pesëdhjetë mijë) lekë.

KF Erzeni, për sjellje të gabuar të spektatorëve, duke hedhur sende në terrenin sportiv dhe duke shkaktuar dhunë ndaj zyrtarëve të ekipit kundërshtarë, në bazë të neneve 6/3/b, 17/1/c, 17/2/b, 17/2/f, 17/2/h dhe 35 të KDE, dënohet me gjobë në masën 200.000 (dyqind mijë) lekë dhe zhvillimin e 4 (katër) ndeshjeve pa spektatorë

Lojtari i KF Tirana, Albi Doka, për sjellje josportive ndaj zyrtarëve të ndeshjes, në bazë të nenit 14/1/j të KDE, dënohet me 3 (tre) javë pezullim nga veprimtaritë.

AF Elbasani, për sjellje të gabuar të spektatorëve, duke hedhur sende në fushën e lojës dhe fyer tifozerinë kundërshtare, në bazë të neneve 17/2/b dhe 17/2/h të KDE, dënohet me gjobë në masën 100.000 (njëqind mijë) lekë. Në zbatim të nenit 76/1/a të KDE, gjoba të aplikohet në masën 50%.

Lojtari i KF Teuta U-17, Samuel Xhafkollari, për sjellje josportive ndaj zyrtarëve të ndeshjes, në bazë të nenit 14/1/j të KDE, dënohet me 4 (katër) ndeshje pezullim nga veprimtaritë. Në aplikim të nenit 34/1 dhe 34/3 të KDE, vendoset pezullimi i pjesshëm i zbatimit të dënimit pas shlyerjes së gjysmës së tij. Periudha e pezullimit me kusht do të jetë 6 (gjashtë) muaj.

KF Vllaznia Femra, për braktisjen e ndeshjes së vlefshme të Kupës së Shqipërisë, kundër KF Gramshi Femra, në bazë të neneve 16/1 të KDE dhe 32/2 të rregullores së aktivitetit, dënohet me gjobë në masën 100.000 (njëqind mijë) lekë, humbet ndeshjen në tavolinë me rezultatin 3-0 dhe përjashtohet nga gara për sezonin aktual si dhe atë pasardhës. Sipas nenit 76/1/d të KDE, gjoba të aplikohet në masën 5%.

Rrëzimin e kërkesës së lojtarit të AF Luftëtari, Sousa Santos Jersival, si të pabazuar në Kodin e Disiplinës dhe Etikës.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat