Angelo Tafas është padiskutimm lideri i Kukësit në këtë sezon. Gardiani i portës së verilindorëve shqetësoi jo pak stafin e skuadrës në duelin me Egnatian.
23-vjeçari u detyrua të linte fushën e lojës në minutën e 39-të për shkak të një dëmtimi. Diçka e tillë bëri me “dhimbje koke” Stavri Nicën dhe gjithë stafin e tij, pasi në pamje të parë dukej si një dëmtim serioz.
Por fatmirësisht nuk ka asgjë për t’u alarmuar, pasi Tafas udhëhoqi skuadrën e tij drejt fitores në Kupën e Shqipërisë ndaj Elbasanit.
Kapiteni ishte nga minuta e parë në fushën e lojës duke konfirmuar kështu edhe gatishmërinë e tij për duelin e radhës në kampionat.
Në këtë mënyrë Nica do të mund të llogaritë shërbimet e 23-vjeçarit ndaj Dinamos, sfidë që do të luhet ditën e hënë në “Niko Dovana” duke nisur që nga ora 17:00. Kjo përballje është e vlefshme për javën e 21-të të Superiores.
Kujtojmë se Tafas në këtë sezon me fanelën e Kukësit ka luajtur në 19 ndeshje, duke u kthyer në një lider të padiskutueshëm te verilindorët.