Vllaznia sulmon kreun

Futboll

Vllaznia sulmon kreun

Më: 27 shkurt 2024 Në ora: 11:05
Tabela

Ka përfunduar java e 25-të e kampionatit që ka dhuruar rezultate interesante. Vllaznia fiton 1-0 në transfertë përballë Dinamos dhe falë ndalesës së radhës së Egnatias (0-0 me Teutën) zvogëlon në 6 pikë diferencën me kryesuesit e Superiores. Shkodranët janë skuadra e momentit dhe pas këtij trepikëshi sulmojnë kreun, që tashmë është një objektiv mëse i arritshëm.

Vazhdon kriza e rezultateve për Egnatian (asnjë fitore në 4 ndeshjet e fundit në kampionat) dhe tashmë rrogozhinasit shohin të zvogëlohet javë pas jave diferenca me ndjekësit. Teuta konfirmohet macja e zezë e Egnatias, që ka më shumë se dy vite që nuk arrin të mposhtë durrsakët.

Edhe Partizani nuk po kalon ditët e tij më të mira. “Demat” munden 1-0 në Korçë nga Skëndërbeu, që tashmë e sheh veten vetëm një pikë larg zonës “Final 4”.

Në ujëra të turbullta noton edhe Tirana, që ndalet në një barazim 1-1 në “Elbasan Arena” nga Laçi. Kryeqytetasit momentalisht janë në vendin e katërt me 35 pikë, po aq sa Dinamo e vendit të pestë.

Derbi i mbijetesës mes Kukësit dhe Erzenit prodhon kaos dhe tension, por në fund janë shijakasit ata që marrin tre pikë të arta dhe i largohen fundit të klasifikimit. Kukësin, në krizë të plotë rezultatesh (7 humbje radhazi në kampionat) vetëm matematika e mban në Superiore.

Java e ardhshme, që do të luhet në 1 dhe 2 mars sjell disa përballje interesante, ku spikat derbi i Shqipërisë Vllaznia-Tirana.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat